I ftuari i dytë i kësaj jave të emisionit “Provokacija” të gazetarit Mustafa Nano ishte gazetari Artan Hoxha. Një diskutim për ngjarjet e nxehta në vend.
I pyetur fillimisht për thashethemet për fondin që shteti grek u kishte atribuar disa personaliteteve shqiptare, Hoxha u përgjigj:
“Pjesa e vërtetë është që ekziston ky fond. Unë di që nuk e ka vetëm Greqia, nuk e di për Shqipërinë, e ka dhe Serbia. Sepse kam dëgjuar dhe gjurmuar dhe më parë raste të tilla. Kam qenë kurioz ta marr vesh se kush është në atë listë, por asnjëherë nuk e kam marrë vesh. Jam shumë kurioz kur të hapen arkivat serbe ose greke për të parë se kush ka qenë. Rasti konkret në Greqi është një situatë pak e veçantë, për shkak se pati një debat apo një konflikt të brendshëm midis ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Jashtëm grek dhe debatuan për fondin që administrohej nga ministria e Jashtme. Ky fondi sekret. Të nesërmen ka patur një lajm në një portal grek që kishte nxjerrë një informacion me anë të të dhënave të koduara ku pretendohet se janë emrat e personave dhe numrat e llogarisë ku janë shpërndarë këto fonde. Unë kam pyetur gazetarë të famshëm se ç’është kjo listë. Konkretisht është folur për këtë vit për një shumë prej 1 milionë eurosh, e cila pretendohet tu jetë dhënë shtetasve shqiptarë dhe maqedonas, kryesisht për 2 marrëveshje të qeverisë greke. Për Marrëveshjen e Prespës për emrin dhe për marrëveshjen e detit me Shqipërinë. Bëhet fjalë për politikanë, gazetarë, portale thuhet në lajm, por ne nuk e kemi parë akoma, prokuroria greke ka filluar hetimin. Nuk kemi parë as listë as gjë. Atje ka vetëm disa të dhëna të koduara që në Greqi është bërë skandal sepse është sekret i madh shtetëror që nuk duhet të dalë.”
“Problemi më i madh në të gjithë këtë histori është se e gjithë kjo që ka ndodhur në Greqi që është në këtë suazë “ruajtje të një sekreti hetimor”. Unë i kam ndjekur mediat me vëmendje. Nuk ka emra në Greqi. Ndërsa në Shqipëri është marrë ky si spekulim dhe janë marrë fake news dhe janë hartuar lista, ku në një listë që kam hasur unë ishte edhe Noizy që kishte punuar për interesat greke, ishte dhe Ardit Gjebrea. Tek lista ishin kujdesur të përmendej një grup njerëzish që kanë punuar tek UET-ja e Çilit. Dhe ishte edhe deputeti Salianji i cili akuzohet brenda PD-së si njeri i Çilit.”
Hoxha foli edhe për valën e arrestimeve të ndodhura së fundmi.
“Hetimi ka filluar në vitin 2016. Prokurori Martini ka nisur procedimin penal. Ai ka hetuar deri në Tetorin e vitit 2017, ai ka vënë në përgjim edhe shumë personazhe. Në fund të Tetorit me urdhër të ish prokurorit të përgjithshëm Llalla ky prokur u transferua në Shkodër dhe atë e merr prokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, para 3 javësh edhe ky prokuror u transferua në Pogradec dhe këtë dosje e kanë marrë dy prokurorë të tjerë, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, që janë prokurorët që e kanë finalizuar. Fakti që dosja pavarësisht transferimit të prokurorëve ka vazhduar, do të thotë se pavarësisht çfarë ka ndodhur hetimi ka vazhduar dhe në fund vjen ndërhyrja që ka bërë Policia e Shtetit për të ekzekutuar vendimet e gjykatës. Gjithmonë hetimin e drejton prokurori, prokuroria është mendja, krahu është policia. Në rastin konkret kanë funksionuar sepse ka patur rezultat.”
“Ka patur një aksion që është shtrirë nga Kruma deri në Sarandë. Janë kontrolluar 12 qytete, 1500 trupa thuhet se kanë marrë pjesë. Policia shqiptare nuk para bën operacione të tilla. Këto operacione i bën antimafia italiane. Në Shqipëri kjo ndodh për herë të parë.”
“Janë 4 grupe, por në fakt kanë ndërlidhje me njëri-tjetrin nga përgjimet që kanë dalë. Ai që njihet si “Grupi i Shijakut” është seriozisht grup shumë i fuqishëm dhe është një grup me aktivitet me mbi 2 dekada. Ata mundohen të mbështesin atë që u ofron atyre mundësinë më të mirë. Për këtë kanë qenë të interesuar partnerët tanë kryesisht gjermanë. Të kapësh një laborator të përpunimit të heroinës në Shqipëri nuk është një gjë që ndodh për ditë. Janë bashkë, ata të Hasit punonin për këta të Shijakut. Është ndjekur linja nga Afganistani, në Kosovë, në Has ku bëhej përpunimi i lëndës narkotike. Besoj kanë zgjedhur Hasin për shkak të afërsisë të kufirit me Kosovën. Gjithashtu duke qenë provincë e vogël Hasi ka pak mbulim policor. Është një investim i madh që bën krimi aty dhe nuk mund t’ja besojë çdo njeriu në këtë histori ka shqiptarë nga Kosova të përfshirë ka biznesmenë turq, biznesmenë shqiptarë, grupe kriminale shqiptare, janë futur dhe dy ish deputetë.”
“Grupi i Lezhës del nga përgjimet që ka komunikuar me grupin e Shijakut. Ndërsa dyshohet që grupi i Shijakut ka pjesëtar dhe një vrasës me pagesë i cili ndodhet në burg, ky dyshohet se ka kërkuar të përfitojë një leje dhe këtë lejen e ka kërkuar me anë të një pagese që dyshohet ta ketë marrë drejtori i përgjithshëm i burgjeve të gjitha këto janë të gjitha në fazën e hetimit.”
“Ka patur një përpjekje, por kjo mund të jetë dhe me prapavijë politike, për ta nxjerrë që operacioni është i dekonspiruar. Në fakt dekonspirim nuk më rezulton për dy gjëra së pari mediat nuk kanë pasur dijeni dhe detaje se çfarë po ndodhte derisa prokuroria vendosi të dilte në deklaratë për shtyp. Personat që po kërkoheshin në Delvinë dhe në Sarandë ose personat që po kërkoheshin në Shkodër kishin lidhje me Shijakun. Ajo që më bën përshtypje është fakti se u quajt dekonspirim për shkak se nuk u arrestua Lul Berisha edhe Balili. Për Lul Berishën më rezulton që nuk kishte as urdhër arresti as urdhër gjykate për kontroll banese. Ndërkohë që për Balilin ka në urdhër arresti që daton që në Maj 2016. Prokuroria nuk e ka ditur ku është Balili. Ata kanë shkuar për të kapur një person të quajtur Petro Kuçi që banon në Delvinë dhe ky ka lidhje me grupin e Shijakut dhe meqenëse kanë shkuar aty kanë kontrolluar dhe të gjithë banesat e Balilëve dhe nuk ka rezultuar gjë.”
“Këto operacione për Balilin, që mua më rezultojnë 14 të dështuara. Avantazhi i tij është se në komunitetin ku ka vepruar nuk ka armiq natyralë.”
“Policia ka synuar të përcjelli një mesazh që është duke goditur krimin, kjo në fakt u arrit sepse edhe ambasadori i BE përshëndeti operacionin. Në këtë moment strukturat kanë funksionuar, sigurisht që kanë qenë dhe ndërkombëtarët brenda që po nxisin, sepse janë disa aksione rresht të suksesshme. Gjëja që unë dua të ndaj qartë në të gjithë këtë histori është në fakt se krimi nuk luftohet me fushatë. Nëse kjo nuk vazhdon është fushatë. Pres që aksioni të vazhdojë të paktën deri nga Dhjetori sepse kriminaliteti shqiptar u bë shqetësues në disa vende europiane të cilët kanë kërkuar të goditet në origjinë. Është shumë e rëndësishme që çdo operacion që bëhet duhet dokumentuar më para me prova.”/abcnews.al