Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Goditet rrjeti i trafikantëve të drogës në Evropë, 50 të arrestuar

schedule17:45 - 8 Tetor, 2026

schedule 17:45 - 8 Tetor, 2026

Gati 50 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar policor kundër një rrjeti të trafikut të drogës, në të cilin bënin pjesë persona nga Ballkani Perëndimor dhe që dyshohet se është i lidhur me vrasje, rrëmbime dhe sulme me granata në vende të ndryshme të Evropës.

Hetimi, i mbështetur nga Europol, zbuloi se rrjeti fshihte sasi të mëdha droge në ngarkesa të rregullta tregtare. Kur dërgesat dështonin, droga konfiskohej ose lindnin mosmarrëveshje, anëtarët e grupit dhe familjarët e tyre dyshohet se bëheshin cak i hakmarrjeve të dhunshme.

Operacioni kulmoi më 6 tetor, kur policia kontrolloi 42 prona në Slloveni dhe Spanjë. Hetuesit nga këto dy shtete bashkëpunuan me autoritetet kroate, ndërsa arrestimet u koordinuan në kohë reale nga një qendër e mbështetur nga Europol në Lubjanë.



Në Slloveni u arrestuan 34 persona, një në Spanjë dhe një në Kroaci. Njëmbëdhjetë të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët. Gjatë aksionit u sekuestruan 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, bizhuteri dhe para të gatshme.

Rrjeti dyshohet për vrasje dhe sulme me eksplozivë

Hetuesit e lidhën rrjetin me disa raste të të shtënave me armë, vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e njërit prej anëtarëve të grupit. Në sulmet e kryera janë përdorur edhe mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, ndërsa objektiva kanë qenë kryesisht anëtarët e grupit ose familjarët e tyre.

Sipas hetuesve, të dyshuarit përdornin dhunën për të rikuperuar humbjet, për të ndëshkuar personat që konsideroheshin përgjegjës dhe për të ruajtur kontrollin mbi aktivitetet e rrjetit kriminal. Hetimi zbuloi edhe një tentativë vrasjeje në Spanjë.

Në rrjet dyshohet se kanë marrë pjesë shtetas të Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe persona nga Sllovenia, Bullgaria, Turqia dhe Holanda.

Droga fshihej në ngarkesa të rregullta

Anëtarët e rrjetit përdornin platforma të enkriptuara komunikimi, përfshirë SKY ECC dhe CryptCom, për të koordinuar transportin e drogës dhe për t’iu shmangur autoriteteve.

Sipas Europol, ata rekrutonin shoferë, kryesisht nga Sllovenia, Bosnja-Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët transportonin drogën së bashku me mallra të ligjshme me kamionë, furgonë dhe automjete.

Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane. Rrugët ekzistuese tregtare përdoreshin si mbulesë për trafikun e drogës.

Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.

Megjithatë, hetimi tregoi se aktiviteti kriminal ishte shumë më i madh se sasitë e sekuestruara. Bazuar në komunikimet e enkriptuara dhe provat e tjera, autoritetet kanë identifikuar edhe rreth 2.5 tonë kanabis, 474 kilogramë kokainë, 104 kilogramë heroinë, 30 kilogramë amfetaminë dhe 11.6 kilogramë MDMA që dyshohet se janë trafikuar nga rrjeti.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu mijëra tableta ekstazi, ketaminë, hashash dhe kërpudha psikoaktive, si dhe lëndë kimike të destinuara për prodhimin e drogës. Operacioni përfshiu autoritete nga 22 shtete dhe u koordinua me mbështetjen e Europol-it nga një qendër në Lubjanë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!