Gjyqtari Artan Lazaj në KPA, kërkon rrëzimin e vendimit të KPK

schedule11:18 - 23 Janar, 2019

schedule 11:18 - 23 Janar, 2019

Komisioni i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot një seancë dëgjimore me gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj. Ai ka kërkuar rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, datë 11 korrik 2018, që e shkarkoi nga detyra.

Avokati i Lazajt, Sokol Hazizaj deklaroi gjatë seancës se gjatë procesit të vetingut në shkallën e parë është cënuar standardi i gjykimit. Sipas tij, një nga komisionerët jepte përgjigje pa bërë ende pyetjen, ndërsa kishte ndërhyrje arbitrare nga ana e komisioneres.

Avokati tha gjithashtu se subjekti Artan Lazaj është vlerësuar vetëm për një nga kriteret, ndërsa hetimi i dy kritereve të tjera nuk është prezantuar.

Ndërsa vetë gjyqtari Lazaj akuzoi kryesuesen e trupës së KPK, Brunilda Bekteshi për shkelje të rëndë proceduriale. Ai sqaroi se kërkesa e tij për përjashtimin e saj nga trupa nuk ka ardhur si pasojë e konfliktit të interesit, por për shkak të njëanshmërisë së drejtimit të seancës. Komisioni i Posaçëm i Apelimit pritet të japë vendimin në 28 janar.

Artan Lazaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit si dhe të kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës në vitet 2003-2009. Në vitin 2009, ai është zgjedhur anëtar i KQZ, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2012.

Në dhjetor 2012, Lazaj u rikthye në gjyqësor përmes një dekreti të Presidentit të Republikës, i cili e emëroi atë në Gjykatën e Tiranës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!