Vrasja e gjyqtarit/ Arma në sallë, përmes mikut të autorit. Gazetarët në “ABC News”: Dyshohet se detektorët ishin jashtë funksionit!

schedule17:41 - 6 Tetor, 2025

schedule 17:41 - 6 Tetor, 2025

Tirana u trondit këtë të hënë me një vrasje, ngjarje e ndodhur në Gjykatën e Apelit. Në sallën e gjyqit u qëllua me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u transportua në spital, por që fatkeqësisht mbërriti pa shenja jete.

Autori i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë është Ervis Shkëmbi. Gazetarja Bleona Sari dhe gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona”, në studion e “ABC News”, folën për këtë ngjarje të rëndë.

Gazetarja Bleona Sari tha se autori ka pasur probleme me çështjet e pronave dhe se vetë ai është shprehur momentin e arrestimit, se po bëhej një padrejtësi në lidhje me një pronë të tij në Shkodër.

“Gjyqtari Astrit Kalaja ka qenë ai që po merrej këtë çështje dhe se në momentin që do të jepte verdiktin e tij, ai është qëlluar”, është shprehur gazetarja.

Gazetarja Etleva Delia tha se këtë të hënë gjyqtari Astrit Kalaja ka pasur gjashtë seanca dhe se ky ishte gjyqi i fundit, por në momentin e përfundimit u qëllua me armë.

“Sot ka qenë diskutimi në gjykatë dhe se do të jepej edhe vendimi, në lidhje me çështjen e pronave. Në gjyq janë disa palë. Gjyqtari Astrit Kalaja sot ka pasur gjashtë seanca gjyqësore dhe ky ishte edhe gjyqi i fundit. Dhe në kohën kur do të jepte verdiktin e tij, humbi jetën.

Ajo çfarë ngjall ende shumë diskutim është se si ka arritur autori që kalojë detektorin dhe të futet me armë zjarri në sallën e gjyqit. Dyshimet e para janë se arma është futur përmes mikut të tij.

Gjithashtu, gazetarja Bleona Sari, tha për ABC News se dyshohet se detektorët nuk funksionojnë prej kohësh.

“Ai ka shkuar direkt tek salla ku po mbahej seanca. Momentin që ka dalë nga gjykata ka tentuar të fshehë armën, por pa ia dalë me sukses sepse është identifikuar”, tha ndër të tjera ajo.

Nga kjo ngjarje u plagosën edhe dy shtetas të tjerë, babë e bir, të cilën janë jashtë rrezikut për jetën, dhe po marrin trajtim mjekësor në spital.

Më tej gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona”, ngriti shqetësimin për ngjarje të rënda që kanë mbetur pa autor, duke përmendur rastin e një gjyqtari në Shkodër, që sipas saj pati një kërcënim serioz dhe ende ka mbetur pa autor.

“Me ngjarjen e sotme që është ndër më të rëndat në sistemin e drejtësisë. Kujtojmë edhe rastin e gjyqtarit të Vlorës. Në Shkodër vitin  e kaluar pati një kërcënim serioz për një gjyqtar të Shkodrës. Edhe sot e kësaj dite ka ngjarje që janë pa autor”, tha Delia.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!