Gjyqtarët kërkojnë rritje të ndjeshme të pagave, ndërsa fatura financiare në fund do të përballohet nga buxheti i shtetit, ose më saktë nga paratë e qytetarëve.
Por fakti është që përllogaritja dhe formula për rritjen e rrogave të magjistratëve është bërë nga vetë ata.
Ministria e financave ka bërë publike kërkesat për disa kategori ku vërehet se kërkohet një rritje me mbi 50%.
Nga 376.3 mijë në 567.4 mijë lekë. Kjo është rritja e përllogaritur për një gjyqtar të Shkallës së Parë e një shtesë prej rreth 191 mijë lekësh në muaj ose 50% më shumë se ajo aktuale
Por rritja nuk ndalet këtu. Për një gjyqtar të Shkallës së Dytë kërkohet që paga të shkojë nga rreth 389 mijë në 586 mijë lekë ose me një rritje prej 51%.
Ndërsa për një gjyqtar të Grupit III në GJKKO, kërkesa është që paga të rritet nga rreth 660 mijë në afro 995 mijë lekë. Sipas shifrave të bëra publike nga Ministria e Financave, kërkesa për rritjen e pagave do t’i kushtonte buxhetit rreth 40 milionë euro më shumë çdo vit.
Kjo do të thotë se nëse kërkesat miratohen buxheti i shtetit do të duhet të paguajë çdo vit dhjetëra milionë euro më shumë për pagat e magjistratëve.
Këto rritje kanë një efekt të drejtpërdrejtë në financat publike. Pra, bëhet fjalë për një faturë që duhet të përballohet çdo vit nga buxheti i shtetit, i cili financohet nga taksat dhe kontributet e qytetarëve.
Por kërkesa financiare shkon edhe më tej. Për rishikimin e pagave për periudhën 2023–2026, sipas Ministrisë së Financave, efekti financiar i kërkuar arrin në rreth 125 milionë euro.
Kjo është një përllogaritje e bërë nga vetë gjyqtarët të cilët nuk pritën datën 17 shtator afatin e vendosur për miratimin e rritjes së pagave nga Kuvendi e më pas zbatimin nga qeveria.

