BE-ja ka propozuar rregulla të përbashkëta për të mbështetur qiratë afatgjata në qytetet me fluks të lartë turistik. Airbnb paralajmëron se plani krijon pasiguri për pronarët, pa garantuar më shumë banesa për qira afatgjatë.
Bashkimi Europian ka prezantuar një plan për strehimin e përballueshëm, me synimin për të nxitur qiratë afatgjata dhe për ta bërë më të lehtë sigurimin e një banese për qytetarët europianë.
I prezantuar dje, plani synon të vendosë rregulla më të qarta dhe më të parashikueshme për autoritetet vendore, sidomos në zonat turistike, ku përhapja e qirave afatshkurtra ka zvogëluar numrin e banesave të disponueshme për banorët vendas.
Mungesa e banesave të përballueshme është një shqetësim për shumë qytetarë europianë, tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Punonjësit e sektorëve thelbësorë dhe studentët nuk mund të përballojnë të jetojnë aty ku punojnë dhe studiojnë. Por, mbi të gjitha, kjo është një çështje drejtësie. Sot po veprojmë për të gjithë europianët.
Politikat e strehimit mbeten në kompetencën e qeverive kombëtare, por Komisioni synon të krijojë disa rregulla të përbashkëta në nivel europian, që do t’i ndihmojnë autoritetet vendore në zbatimin e masave.
Rregullat e reja synojnë të ndihmojnë autoritetet përkatëse të identifikojnë “zonat ku tregu i banesave është nën presion”, duke përdorur një metodologji të përbashkët.
Kur autoritetet vendosin të kufizojnë përdorimin e banesave, për shembull për qira afatshkurtra ose në rastin e banesave të pabanuara, duhet të tregojnë se këto masa lidhen me problemet e tregut lokal të strehimit dhe të sigurojnë që ndërhyrjet të jenë të synuara, të nevojshme dhe proporcionale.
Problemi i strehimit në Europë po thellohet
Të dhënat më të fundit për strehimin në Europë janë shqetësuese dhe kanë nxitur Komisionin të ndërhyjë.
Sipas Eurobarometrit, 50% e banorëve të qyteteve europiane e konsiderojnë strehimin një problem urgjent. Të dhënat e BE-së tregojnë se çmimet e banesave janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat në shumicën e kryeqyteteve europiane. Midis viteve 2015 dhe 2025, çmimet e banesave u rritën me 64.9%, ndërsa qiratë me 21.8%.
Edhe ata që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë po përballen me qira gjithnjë e më të larta, të cilat në disa raste marrin deri në 40% të të ardhurave familjare. Edhe familjet e shtresës së mesme po gjenden gjithnjë e më shpesh në një situatë të vështirë: nuk përballojnë dot as blerjen dhe as qiranë e një banese, por njëkohësisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga strehimi social.
Në qytete si Lisbona, Barcelona dhe Praga, shumë banorë ankohen se platformat e qirave afatshkurtra, si Airbnb, kanë nxjerrë një pjesë të banesave nga tregu i qirave afatgjata dhe kanë shtyrë çmimet lart, duke detyruar banorët vendas të zhvendosen.
Qiratë afatshkurtra përfaqësojnë vetëm 1.2% të fondit të përgjithshëm të banesave në BE, por në disa zona turistike pesha e tyre mund të arrijë deri në 20%. Ndërkohë, në zonat ku kërkesa është më e lartë po ndërtohen shumë pak banesa të reja. Brukseli vlerëson se Europës i duhen më shumë se 2 milion banesa të reja çdo vit për të zbutur problemin.
Airbnb, platforma më e madhe në botë për qiratë afatshkurtra, e ka kritikuar planin, duke thënë se nuk është mjaftueshëm i qartë.
Airbnb mbështet synimin e Komisionit për ta bërë strehimin më të përballueshëm. Por, në formën aktuale, Akti për Strehimin e Përballueshëm nuk do të shtojë as edhe një banesë në tregun e qirave afatgjata, ndërsa do të krijojë pasiguri rregullatore për pronarët që japin banesa me qira në qytetet europiane, tha kompania në një deklaratë pas njoftimit të Komisionit.
Plani duhet tashmë të negociohet mes institucioneve ligjvënëse të BE-së përpara se të marrë miratimin përfundimtar.

