Gjykata e posaçme ka pranuar kërkesën e ish-kryetarit të bashkisë së Himraës Jorgo Goro që procesi ndaj tij të vijojë me gjykmim të shkurtuar. Goro u arrestua marsin e kaluar për shpërdorim detyre në dy raste dhe për fshehje të pasurisë.
E njëjta kërkesë u pranua edhe për ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë, Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, ndërsa ish-kreu i Kadastrës Vlorë, Bilbil Aliaj do të gjykohet me procedurë të zakonshme. Sipas hetimeve, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashon, dërguan pranë organeve kompetente dokumenta të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të një subjekti privat.
Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të një shoqërie private me përfaqësues ish-deputetIn socialist Artan Gaçi.
Ndërsa në një tjetër rast Goro dhe vartësit e tij, kanë konfirmuar një plan rilevimi për një sipërfaqe tokë prej 5080 m2 tokë me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Goro akuzohet edhe për fshehjen e një apartamenti në Tiranë, për të cilin SPAK dyshon se ish-zyrtari i lartë e ka regjistruar në emër të një personi tjetër, por që në të vërtetë posedohet prej tij. Në seancën e radhës që do mbahet më 10 shkurt, prokuroria do lexojë pretencën për Goron dhe 2 ish-zyrtarët e tjerë./abcnews.al