Gjykata e Tiranës liron Klevis Balliun

schedule14:17 - 9 Maj, 2019

schedule 14:17 - 9 Maj, 2019

Gjykata e Tiranës liroi ish-deputetin Klevis Balliu dhe tre të ndaluarit e tjerë që u prangosën pas protestës tek “Unaza e Re”. Prokuroria kishte kërkuar masën “arrest shtëpie” për Balliun, por trupa gjykuese vendosi “detyrim paraqitjeje”.

Lirohet nga Gjykata e Tiranës ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balli, i cili u prangos të martën nga Policia e Tiranës, për kundërshtim të forcave të rendit dhe bllokim të qarkullimit të automjeteve.

I njëjti vendim, “detyrim paraqitje” u dha edhe për Seit Hajdarasi, Elton Skënderi dhe Lulzim Marçinaj.

Sipas prokurorit Gjergji Tako, veprimet procedurale ndaj të dyshuarve u realizuan me, sekuestrimin e pamjeve filmike, raportit të shërbimit, si dhe provave të mbledhura nga grupi hetimor.

Por Balliu u shpreh se, nuk ka kundërshtuar në asnjë rast punonjësit e policisë, ndërsa veprimet e tij ishin në mbrojtje të tyre.

Vendimi i lirimit të katër të pandehurve, u prit me ovacione nga jashtë gjykatës së Tiranës, ku ishin protestues të shumtë të zonës së Unazës së Re.

Policia e Tiranës procedoi në total 30 persona si dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim. Personat e proceduar, penguan automjetin e kryeministrit të kalonte në Unazën e Re, mesditën e 7 majit./ABC News Albania 24/7