Pas ri-shpalljes së thirrjes për paraqitjen e kandidatëve të interesuar për vendin e gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, që sipas ligjit duhet të vijnë nga gjykatat e apelit jashtë Tiranës, Gjykata e Lartë njofton se dy janë gjyqtarët që kanë hedhur kandidaturën për postin. Është gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj dhe ai i apelit Shkodër, Luan Dervishi të cilët i janë përgjigjur vakancës së krijuar në kandidatura për shkak të dorëheqjeve dhe shkarkimeve nga procesi i Vettingut të kandidaturave ekzistente.
Pas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, Gjykata e Lartë njofton se të dy kandidatët plotësojnë kto kushte për t’u zgjedhur anëtarë të organit të ri të drejtësis. Ri-shpallja për hedhjen e kandidaturës për këtë post erdhi pas përjashtimit të kandidatëve të listës së parë që vinin nga rradhët e gjykatave të Apelit jashtë Tirane për shkak të procesit të Vettingut. Shprehja e interesit të dy gjyqtarëve Ukperaj dhe Dervishi plotëson dhe listën me kandidatët e nevojshëm ligjerisht për ngritjen e institucionit që sipas Kushtetutës duhet të ishte ngritur mbi një vit e gjysmë më parë.