Dhjetra shqiptarë po kthehen në vend pasi u bllokuan prej pandemisë në Greqi janë duke u përballur me gjoba në kufi.
Gazetarja Lediona Xheladinaj ishte sot në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë duke marrë dëshmitë e tyre.
Qytetarët e kthyer shprehen se kanë qenë të detyruar që të qendrojnë në Greqi për shkak të pandemisë duke tejkaluar afatin tre mujor për zonën Shengen, por pala greke nuk e ka marrë parasysh këtë duke u vendosur gjobë si edhe bërë një shënim në pasaportë si shkelës.
Kjo është një situatë e pazakontë që po ndodh me Greqinë, ndryshe nga shtetet e tjera që po tolerojnë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Abc News kontaktoi me Ministrinë e Jashtme në lidhje me problematikën në fjalë, nga e cila mori përgjigjen se vetë BE ka kërkuar nga shtetet anëtare që të tolerojnë kur hasin qytetarë të vendeve jashtë zonës Shengen që kanë kaluar afatin për shkak të Pandemisë.
Lexo edhe: Pandemia i bllokoi jashtë, gjobiten me nga 600 euro shqiptarët që kthehen nga Greqia
Pas këtij sugjerimi nga BE shpjegon Ministria e Jashtme për Abc News, të gjitha vendet anëtare i kanë dërguar shtetit shqiptar një notë ku shpjegohej se shtetasit e mbetur jashtë do të toleroheshin dhe do ta riktheheshin në Shqipëri pa pasoja administrative.
I vetmi shtet që nuk ka dërguar një notë të tillë sipas Ministrisë së Jashtme është pikërisht Greqia.
Megjithatë, në mënyrë të përsëritur, në ERTV, studio televizive apo edhe në rrjetin sociale Facebook, kryeministri Rama ka theksuar se ka marrë premtimin e homologut të tij grek Mitsotakis se nuk do të ketë gjoba ndaj qytetarëve shqiptarë që kanë qendruar më shumë se 3 muaj në Greqi për shkak të Pandemisë.
“Deri më tani nuk janë gjobitur ata që kanë hyrë, përveç ndonjë rasti sporadik. Ishte fjala e dhënë dhe e mbajtur nga miku im kryeministri i Greqisë”, tha Rama në Facebook.
Lidhur me këtë, qytetarët shqiptarë janë shprehur se disa nga oficerët e policisë greke u kanë thënë se gjoba do të vendoset, por ajo do të falet më vonë, megjithatë për këtë pritet një vendim tjetër i posaçëm dhe po ashtu, kudo që të shkojnë atyre u mbetet në pasaportë shënimi si shkelës të afatit për të qëndruar në zonën Shengen, një argument i mirë ky për të mos u lejuar që të futen sërish. /abcnews.al