Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka sqaruar në Kuvend taksën prej 5 eurosh të vendosur në Rrugën e Kombit. Duke mos e konsideruar taksë, por tarifë ministri Gjiknuri tha se kjo është forma e vetme për të mirëmbajtur rrugën, pasi nëse do të vendosej një tarifë më e vogël nuk do të mbulonte investimet për mirëmbajtjen e saj. Gjiknuri u shpreh se aplikimi i tarifës për këtë rrugë është diskutuar që në kohën e qeverisjes së demokratëve.
“Ka një qëndrim konsisten që nga qeverisja e PD të perifrazuar në fjalët e Berishës dhe deri tek qeverisja jonë bashkë me aleatët tanë të LSI ku bënë një studim që për të mirëmbajtur atë rrugë dhe për ta përfunduar atë pjesë që do mirëmbahen duhet një investim dhe për këto investime duhet të kontribuojnë përdoruesit e tyre.
Çfarë do të bëhet me këtë koncesion? Sipas kontratës koncesionari parashikohet të investojë 262 milionë euro gjatë jetës së kontratës. Që do të thotë operim, mirëmbajtje rutinë, por edhe investime të nevojshme sepse rrugët kanë normë të lartë amortizimi. Mendoni sikur mos mirëmbahet ajo rrugë, për disa vjet do të dalë jashtë përdorimi”- deklaroi Gjiknuri./abcnews.al