Gjiknuri në Elbasan apel për ujësjellësat: Shlyeni borxhet

schedule11:19 - 14 Mars, 2018

schedule 11:19 - 14 Mars, 2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte në një prej qendrave të Kujdesit ndaj Klientit në Ujësjellësin e Elbasanit, ku përsëriti apelin për rikthimin e ligjshmërisë në këtë sektor.

Bujarinë e qeverisë, Bashkia e Elbasanit duhet tia shpërblejë duke luftuar informalitetin, kryesisht në sektorin e ujit të pijshëm.  Thirrjen ministri i infrastrukturës dhe energjisë Damian Gjiknuri e bëri në një qendër të kujdesit ndaj klientit në Ujësjellësin e këtij qyteti.

“Diku ka ecur mirë dhe diku ka nevojë për më shumë përmirësime. Këtu në Elbasan mendoj se ka nevojë për më shumë përpjekje. Qeveria është treguar bujare dhe mbështetëse me Bashkinë e Elbasanit, me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve duke dedikuar mbi 3 milion euro investime. Investimet do të vazhdojnë por ne presim të kemi një performancë më të mirë nga ndërmarrja e ujësjellësit”, u shpreh Gjiknuri.

Së bashku me ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj Ii kërkuan kryetarëve të bashkive që të ardhurat shtesë të krijuara nga aplikimi i masave të qeverisë në kuadër të zbatimit të reformës së ujit, duhet të përdoren për të shlyer borxhet e ndërmarrjeve dhe domosdoshmërisht ato të prapambetura, veçanërisht të energjisë elektrike.

Sëbashku me Ministrinë e Financave kemi vendosur që ky proces të normohet në mënyrën e duhur. Pra, që këto të ardhura të paplanifikuara të mos përdoren siç ndodh ndonjëherë nga ndërmarrjet për shpenzime personeli apo blerë gjëra të panevojshme. Duhet të përdoren për të shëndoshur gjendjen financiare të kompanive si dhe për të likujduar detyrimet që mund të ketë ndaj sektorit të energjisë elektrike. Qëllimi i qeverisë është që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve të forcohen, të menaxhohen siç duhet dhe ka një sërë masash të tjera reformatore që do ta bëjnë të mundur në çdo bashki që ujësjellës-kanalizimet të funksionojnë si ndërmarrje që mbulojnë kostot e tyre operative”, nënvizoi Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri dhe Ministri Ahmetaj firmosën një shkresë përmes të cilës u kërkohet kryetarëve të bashkive që të disiplinojnë shpenzimet dhe të mirëadministrojnë të ardhurat e krijuara shtesë si pasojë e aksionit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!