Gjici e “thumboi”, replikon Kokëdhima: E ka kthyer Kukësin në kioskën e Superiores

schedule08:58 - 7 Tetor, 2020

schedule 08:58 - 7 Tetor, 2020

President apo president nderi do të ishte një pyetje retorike nëse flitet për Safet Gjicin, kryebashkiakun e Kukësit që është fuqiplotë në vendimmarrje edhe në Futboll Klub Kukësi. “De juro” situata është tjetër dhe e quan veten president nderi, ndërsa në klub shpesh e harrojnë këtë detaj.

Kohët e fundit, ndoshta i ndikuar politikisht, Gjici ka dalë kundër bojkotit që po bën Kategoria Superiore, edhe pse klubi i Kukësit ka respektuar çdo vendim të marrë. Disa herë ai është kapur në distancë me presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima (është edhe kryetar i një partie). Tentativat kanë qenë ta kthejnë të gjithë në një çështje politike dhe në një moment Gjici lëshoi edhe tjetrën, që “Koço i paguan lojtarët 200 mijë lekë”.

Kokëdhima së fundmi i është përgjigjur dhe e ka akuzuar për diçka që Gjici e ka pranuar edhe vetë para kryeministrit Edi Rama, në tavolinën e përbashkët mes klubeve dhe qeverisë. “Safeti është evazori më i madh i botës shqiptare të futbollit. Ai e ka katandisur klubin e Kukësit si kioskën e Kategorisë Superiore”, thotë fillimisht Kokëdhima për “Panorama Sport”.

“Në vitin 2018 ky nënkampion i Shqipërisë ka deklaruar gjithsej 169 milionë lekë të vjetra paga për lojtarët e tij, ndërkohë që Apolonia në Kategorinë e Parë ka deklaruar 210 milionë lek paga, përveç sigurimeve. Në vitin 2019, Kukësi i Safetit, nënkampion i Kategorisë Superiore të Shqipërisë, ka deklaruar 60 milionë lekë më pak se Apolonia në një kategori më poshtë.

Merrini bilancet e të dy klubeve në QKB, janë publike, mund t’i shikojë çdo gazetar, ju paraqes edhe unë dokumentet përkatëse, që të bindeni. Intervistoni edhe lojtarët e Kukësit, studioni edhe kontratat e tyre të depozituara në FSHF. Për 8 orë, mund të keni në dorë mbi 60 prova të evazionit fiskal të Safetit.

Ja një prej arsyeve pse ai është i kontrolluar dhe i shantazhueshëm nga qeveria kundër Ligës. Në këtë situatë është më mirë të heshtë, sepse mund të përfundojë si i pandehur për evazion dhe mashtrime fiskale”, mbyll presidenti i Apolonisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!