Gjërat pozitive dhe urimi për vitin 2021, Duka ka një mesazh për të gjithë

schedule09:59 - 31 Dhjetor, 2020

schedule 09:59 - 31 Dhjetor, 2020

Urime për vitin e ri kanë nisur. Sot është dita e fundit e vitit 2020, teksa njerëzit po shkëmbejnë mesazhe dhe urime me njëri-tjetrin. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka bërë një përmbledhje të gjërave të bukura të vitit që po lëmë pas dhe uron aktorët e futbollit dhe të gjithë shqiptarët për vitin 2021.

Së pari uroj të jeni mirë dhe shëndet dhe pranë njerëzve tuaj të dashur në këtë fundvit. Po lëmë pas një vit të vështirë e me shumë peripeci për të gjithë shoqërinë e veçanërisht për futbollin shqiptar. Uroj me gjithë zemër që viti 2021 të kthejë faqen e historisë dhe të jetë krejt ndryshe nga viti 2020.

Ka qenë një vit kalendarik që e ka përballur edhe futbollin, ashtu si edhe çdo fushë të jetës, me sfida të panumërta. Sfida që ne i kemi përballuar me sukses, duke qëndruar bashkë dhe duke qenë si gjithmonë solidar. Në fillim tërmeti i nëntorit 2019 e më pas pandemia Covid-19 na sprovuan fort, por ne nuk u dorëzuam.

Mblodhëm fonde dhe tani kemi nisur rindërtimin e katër shtëpive me donacione të siguruara nga federata partnere dhe skuadra kombëtare. Në kulmin e karantinës së imponuar nga pandemia ne iu gjendëm pranë komunitetit të futbollit, që u braktis në mënyrën më të dhimbshme nga qeveria, duke siguruar dy paga për punonjësit e futbollit kudo në Shqipëri përmes paketës së solidaritetit futbollistik.

Rifilluam të gjitha garat dhe treguam se jemi të aftë të menaxhojmë çdo aktivitet futbollistik duke respektuar protokollet sanitare. Kombëtarja mbylli një edicion fantastik sa i takon rezultateve, duke marrë maksimumin në Nations League. Klubet shqiptare gjithashtu bënë një paraqitje mjaft të mirë në kompeticionet evropiane.

Ky vit i vështirë në fakt u mbyll me një lajm fantastik për shqiptarët. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që finalja e parë e kompeticionit më të ri evropian për klube Conference League të luhet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës në maj të vitit 2022. Një arritje historike që na bën krenarë e për të cilën duhet të gëzojmë të gjithë.

Mezi presim t’i tregojmë botës një nga tiparet më dalluese të shqiptarëve, siç është mikpritja. Uroj me gjithë zemër që pasojat e pandemisë të vijnë duke u zbehur dhe bota e qytetëruar të triumfojë mbi këtë të keqe të padukshme që i krijoi kaq shumë probleme njerëzimit.

Kjo është dëshira ime më e madhe për këtë vit ri. Me rikthimin e situatës në normalitet ne do t’u rikthehemi më në fund edhe të gjitha aktiviteteve për të çuar përpara zhvillimin e futbollit. Ju uroj të gjithë gëzuar vitin e ri 2021! Qoftë një vit sa më i mbarë dhe i begatë për të gjithë shqiptarët dhe për futbollin! Gëzuar!“, shkruan kreu i futbollit shqiptar. /abcnews.al