Gjeniu Igli Tare: Rritja e pabesueshme e Lazios, sot vlen 4-fish më shumë

schedule14:17 - 4 February, 2020

schedule14:17 - 4 February, 2020

Lazio është një nga skuadrat më në formë në Europë dhe tifozët po fillojnë e besojnë se ekipi i tyre i zemrës mund të shpallet kampion Italie. Bardhekaltrit nuk humbasin prej 16 ndeshjes në kampionat, nga të cilat kanë fituar 13 dhe barazuar tre. Ekipi i Inzaghit ka sulmin e dytë më të mirë në Serie A, golashënuesin më të mirë (Immobile me 25 gola) dhe del në vend të dytë nëse fiton ndeshjen e prapambetur.

Skuadra kryeqytetase po shkëlqen nëpërmjet një futbolli ofensiv dhe vlera e lojtarëve është rritur ndjeshëm. Gazzetta dello Sport ka bërë një analizë, aty ku dallohet lehtësisht edhe gjenialiteti i Igli Tares. Biondi vlonjat, i cili mban postin e drejtorit sportiv, po tregohet një fenomen në merkato. 120 milion euro janë shpenzuar për këtë ekip, ndërsa sot vlen plot 500 milion euro.

Immobile u ble për shumën e 9.5 milionëve dhe sot vlen rreth 80 milion euro. Goditje ishte edhe ajo e Milinkovic-Savic, i cili u mor për vetëm 15 milion, teksa sot Lazio nuk pranon më pak se 100 milion për ta lënë të lirë. Vazhdojmë me Angel Correa. Për argjentinasin u paguan 19 milion dhe paraqitjet pozitive ia kanë rritur vlerën në 70 të tilla. Luiz Felipe është rikthyer në një titullar fiks në mbrojtje.

Tare siguroi shërbimet e brazilianit për vetëm 800 mijë euro, sot kushton 20 milion. Edhe Caicedos i është rritur çmimi i kartonit nga 2.5 në 15 milion. Më pas janë edhe goditjet me parametra zero si Jony dhe Patric, të cilët sot kushtojnë nga 5 milion euro. Jo më kot Igli Tare cilësohet si një ndër drejtorët sportivë më të mirë në Europë… /abcnews.al