Gjelbrim Taipi në Superiore, Junior drejt rikthimit. Lëviz edhe Skënderbeu

schedule08:20 - 28 Janar, 2020

schedule 08:20 - 28 Janar, 2020

Merkato ende nuk është mbyllur dhe disa prej skuadrave të Superiores po tentojnë të bëjnë afrimet e fundit. Kukësi i vendit të parë, edhe pse është i kompletuar dhe nuk shikohet e domosdoshme që të ketë lëvizje në hyrje, ka nisur bisedimet me një mesfushor cilësor.

“Panorama Sport” shkruan se drejtuesit e Kukësit po flasin me mesfushorin Gjelbrim Taipi. Edhe në verë pati tentativa për të arritur një marrëveshje, madje Taipi edhe u takua me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Atëherë nuk pati akord dhe tashmë ka sërish tentativa për të bashkëpunuar.

Pjesën e parë të sezonit mesfushori u aktivizua në Challenge League në Zvicër. Taipi zbriti në fushë në 12 takime (10 titullar) me Winterfurth dhe tashmë rikthehet opsioni Superiore për të, madje me mundësinë që në fund të sezonit të festojë titullin kampion.

MERKATO NË SHKODËR DHE KORÇË – Vllaznia afroi këtë muaj dy lojtarë për sulmin dhe duket se nuk do të ndalet me kaq. E njëjta gazetë raporton se shkodranët kanë arritur akordin me një sulmues të njohur për kuqeblutë. Bëhet fjalë për brazilianin Silvio Junior, i cili vjet me fanellën e Vllaznisë shënoi 11 gola në kampionat.

Këtë verë zgjodhi të pranonte një ofertë nga Sllovakia. Me Zlate Moravce ka shënuar vetëm një gol, ndërkohë që shqetësimi kryesor për sulmuesin 25-vjeçar kanë qenë minutat. Nga 12 takime që është aktivizuar në total, Junior vetëm një herë e ka nisur nga fillimi dhe Superiorja është një opsion i mirë për të.

Në Korçë problemi kryesor gjatë pjesës së parë të sezonit ka qenë mbrojtja. Kështu, te Skënderbeu afruan Eni Imamin dhe presin të rikthehet edhe Bajram Jashanica. Kampionati është i gjatë dhe drejtuesit kanë rënë dakord me një tjetër mbrojtës. Nga Pogradeci është marrë 28-vjeçari Miklovan Pere, i cili do të jetë një alternativë për trajnerin Daja në vazhdim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!