Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në qytetin e Fierit për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik. Me ritmet që po punohet projekti do të jetë gati në vitin 2020 tha kreu i qeverisë, duke nënvizuar se 70 përqind e të punësuarëve janë shqiptarë.
Investim i përmasave të pazakonta, i barabartë me 25 fusha futbolli është projekti që do të vazhdojë të prodhojë përfitime të vazhdueshme. Kryeministri Edi Rama e ka fjalën për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik . Në stacionin e Kompresorëve të gazit, një tjetër vepër madhore e TAP, kreu i qeverisë tregon përfundimin e punimeve.
“Projekti nuk ka shënuar asnjë vonesë, është tërësisht brenda axhendës së paracaktuar. Ky stacion që do të jetë gati për vitin 2020 pritet gjatë këtij viti të ketë më shumë se 250 punonjës”.
Mbi 70% e fuqisë punëtore është vendase tha kryeministri Edi Rama sipas të cilit falë negociatave që janë kryer nga ministri Gjiknuri është arritur që brenda kontratës të ketë një program investimesh sociale e mjedisore. Nga ana tjetër masterplani i hartuar tregon edhe përfituesit e parë të këtij investimi.
“Zona kryesore e parë përfituese do të jetë trekëndëshi Ballsh, Fier, Patos”.
Kjo nuk mjafton sipas kreut të qeverisë. Ai kërkon që përfitimit e gazjellësit ti ndajnë edhe me vendet e tjera të rajonit.
“Ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian ku kemi filluar bisedimet me Malin e Zi dhe Kroacinë”.
Stacioni i Kompresorit në Fier ka nisur të ndërtohet në 8 mars të vitit 2017. Deri më tani janë realizuar 31 përqind e punimeve. Përfundimi I ndërtimit të tij është përcaktuar në mars të vitit tjetër. /abcnews.al