Gazeta e Vatikanit: Shqipëria mes skandaleve, tensioneve politike dhe protestave

schedule12:08 - 24 Mars, 2019

schedule 12:08 - 24 Mars, 2019

Gazeta zyrtare e Vatikanit “L’Osservatorie Romano” i ka kushtuar një artikull situatës në Shqipëri të cilën titulli e përshkruan si një “ekuilibër të vështirë shqiptar; mes skandaleve, tensioneve politike dhe protestave në shesh.

“Zjarri në Shqipëri vazhdon prej muajsh dhe riaktivizohet periodikisht me shpërthime të papritura”, shkruan gazeta e cila e quan përplasjen qeveri–opozitë si radikale.

Opozita e përfaqësuar nga Lulzim Basha, vijon gazeta zyrtare e Vatikanit në shkrimin e saj, kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe thirrjen e zgjedhjeve të menjëhershme të parakohshme, me akuzën se qeveria Rama është i lidhur ngushtë me organizata kriminale.

“Losservatorio” identifikon si skandalin që shpërtheu siguresën në vend, atë të verës së shkuar kur doli në pah se qeveria ishte orientuar drejt lejimit të devijimit të lumit të Lanës për t’i lejuar një oligarku kontrovers ndërtimin e një kompleksi rezidencial luksoz.

Shumë të komplikuar e sheh gazeta e Vatikanit zgjidhjen e kësaj krize ku nga një ane, protestuesit kërkojnë instalimin e një qeverie tranzitore që të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme, nga ana tjetër kryeministri Rama flet për gatishmëri për dialog por pa cënuar legjitimitetin e qeverisë së tij në asnjë mënyrë. Ndërkohë vijojnë të afrohen zgjedhjet lokale të qershorit, por edhe vendimi për hapjen apo jo të negociatave me BE-në.

Edhe BE-ja ka insistuar në ndërtimin e një platforme kombëtare ku partitë mund të përballen dhe dialogojnë në interes të vendit dhe qytetarëve. “Duhet patur parasysh, – shkruan gazeta zyrtare e Vatikanit, – se kancelaritë ndërkombëtare nuk i konsiderojnë të pabaza akuzat ndaj qeverisë për paligjshmëri, por janë edhe më të shqetësuara mbi rrezikun e destabilitetit në një shtet delikat në zemër të Ballkanit si Shqipëria”.

“Shqetësimi është i lartë, – shkruan “Losservatorio”, – përpara një krize të ngjashme me atë të vitit 1997, kur Shqipërinë e mbërtheu kaosi dhe anarkia”.

Edhe dy ditë më parë e njëjta gazetë i kushtoi një tjetër artikull situatës në Shqipëri me fokus tek protestat e organizuara nga opozita dhe kreu i saj Lulzim Basha, duke theksuar se ndryshe nga viti 1997, sot populli shqiptar po tregon maturi. E gjithsesi, shkruan “L’osservatorio” mbetet droja se nëse do të vijojë të mos garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, mund të shohim një përsëritje të historisë që vjen me rrezikun e një vale emigrimi të ngjashme me atë të viteve ’90./abcnews.al