Nga kontrabanda e fshehtë në vitet e komunizmit, te një histori dashurie që zgjat prej më shumë se tre dekadash, Gazmend Ujkashi solli në “ABC e Mëngjesit” rrëfime që duken si të marra nga një film.
Sipërmarrësi i njohur dhe ish-banori i BBVA u kthye pas në kohë, duke kujtuar vitet e rinisë në Shqipërinë komuniste, kur të rinjtë kërkonin me çdo kusht të siguronin gjëra që konsideroheshin luks. Ai tregoi se merrej me tregtimin e fshehtë të orëve “Super Atlantic” dhe atleteve “Puma”, ndërsa përpiqej t’u shpëtonte kontrolleve të Sigurimit të Shtetit. Ishin vite të vështira, por edhe plot aventura, kujtime dhe histori që sot duken të pabesueshme.
Mes këtyre kujtimeve lindi edhe historia e dashurisë që do t’i ndryshonte jetën. Gazmendi rrëfeu se bashkëshorten e tij, Suelën, e kishte njohur që kur ajo ishte vetëm 4 vjeçe, pasi ishte shoqe me motrën e tij. Megjithatë, vite më vonë, kur u takuan sërish, ai nuk e kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për të njëjtën vajzë.
Dashuria e tyre nisi kur Suela ishte 16 vjeçe dhe ai 27. Një diferencë moshe që nuk u prit mirë nga familjarët, të cilët kundërshtuan lidhjen. Për një vit të tërë, marrëdhënia e tyre mbeti sekret dhe askush nuk e dinte se të rinjtë po mendonin të krijonin familje.
Një nga episodet më interesante është mënyra se si Gazmendi e pa për herë të parë me sy tjetër Suelën. Në një dasmë, ndërsa po kërcente me një shoqe, kërkoi që ajo të bënte sikur i dhembte këmba vetëm që të kishte mundësinë të kërcente me vajzën që i kishte tërhequr vëmendjen.
Por historia nuk përfundoi aty. Pas muajsh refuzimesh, Gazmendi thotë se Suela vazhdonte t’i thoshte “jo” idesë së një lidhjeje serioze. Derisa, siç rrëfen vetë ai me humor, vendosi ta “rrëmbente”, duke vulosur kështu fillimin e një historie që vazhdon edhe sot.
Mbi 30 vite më pas, çifti jo vetëm që ndan jetën bashkë, por edhe biznesin familjar, ndërsa dy fëmijët e tyre janë bërë pjesë e rrugëtimit profesional. Për Gazmend Ujkashin, sekreti i kësaj martese të gjatë mbetet i thjeshtë: respekti, besimi dhe përkushtimi i përditshëm.
“Nuk e kam tradhtuar kurrë gruan time, as me mendje,” u shpreh ai, duke shtuar se dashuria nuk mbahet gjallë vetëm me fjalë, por me kujdes dhe vëmendje çdo ditë.



