TIRANË- Partia Demokratike ka hyrë në një proces komik, sa i takon çështjes së zgjedhjes së kryetarit të partisë.
Kështu u shpreh analisti Frrok Çupi, i cili thotë se “skenari” që po luhet sot në PD i ka rrënjët që në fillimet kur u krijua kjo parti politike.
Sipas tij, të parët që u larguan nga Partia Demokratike ishin vetë “punëtorët” që e ngritën atë.
Ai theksoi në “News Line” se Partia Demokratike është në fundin e saj dhe nuk pritet asnjë gjë pozitive, për aq kohë sa partia është në duart e një personi si Sali Berisha.
“Proces komik, por edhe një proces, i cili na bën të reflektojmë në si qytetarë në shumë gjëra. Kjo që po ndodh sot në PD, rrënjët i ka qysh në fillesa. Të parët që u larguan nga PD, ishin punëtorët që e themeluan PD. PD ka mbaruar, është në fundin e saj. Prej kohësh është në fundin e saj. PD nuk ka lidhje më me partitë politike.
Në PD jeta ka ardhur palë palë, një palë ka eliminuar një palë tjetër në emër të shefit. PD ka historinë e ngrënies së njëri tjetrit. PD i ka shkaktuar dhimbje vetë vendit, I ka shkaktuar tragjedi, gjakderdhjeje, varfëri, humbje të të ardhurave të qytetarëve”, tha ai.
Ai komentoi dhe kandidaturën e shpallur nga Mereme Sela, e cila deri tani ka shprehur ambicien për të sfiduar Sali Berishën, për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Sipas tij, figura e Mereme Selës personifikon mesataren më të mirë të individëve që kjo parti ka në radhët e saj.
“Ajo që po ndodh është për të qeshur, por nuk është asnjëherë për të qarë, sepse një grupim politik prodhon aq produkt politik saç është. Është produkt tipik i PD, më mesatarja, që mund të shikohet si figurë në PD.
Mereme Sela pa kontribut, pa atribut, pa ide, pa nerv, pa ide për të ardhmen dhe pa asnjë mendim se do të bëjë diçka, thjesht shërben. Sali Berisha gjithmonë e ka gjetur një “Mereme”.
Ka dashur ta kthejë në “Mereme” edhe Azem Hajdarin. Meremja është një viktimë, e merr Saliu nëpërmjet të tjerëve dhe e përdor. I duhet për t’i thënë dikujt: që ne kishim dhe një kandidat tjetër. Ajo vlen për Berishën nuk vlen për ne. Nëse është i mençur Sali Berisha e bën kryetare Meremen dhe pres se do ta bëjë”, tha ai./abcnews.al


