Fruthi, OBSH alarm për Europën: Shifër rekord në 20 vite

schedule13:53 - 24 Dhjetor, 2018

schedule 13:53 - 24 Dhjetor, 2018

Rastet e prekjes nga fruthi po shtohen vit pas viti në rang global. Sipas një studimi të OBSH, këtë vit Europa shënoi numrin më të lartë të personave të prekur nga ky virus në 20 vitet e fundit. Ndërsa mbulimi me vaksinën përkatëse ende nuk është në nivelet e duhura.

Fruthi po godet gjithmonë e më shumë në botë, por dhe në Europë. Ky virus u ka marrë jetën 110 mijë njerëzve në mbarë globin në vitin 2017, një shifër 30% më e lartë se ajo e një viti më parë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në kontinentin tonë, këtë vit janë prekur nga fruthi 60 mijë persona, më shumë se dyfishi i personave të prekur në 2017. Sipas OBSH, kjo është një shifër alarmante, më e larta që nga fillimi i këtij shekulli.

Po këtë vit Fruthi u ka marrë jetën 72 personave në Europë, ose dy herë më shumë se vitin e kaluar.

Një raport i OBSH tregon se mbulimi vaksinal për fruthin në botë është në masën 85% për dozën e parë të vaksinës. Ndërsa dozën e dytë, që është edhe më e rëndësishmja për të garantuar imunitetin nga virusi, e ka marrë vetëm 67% e popullsisë.

Lidhur me këtë situatë komisioneri i BE për Shëndetësinë, flet për papërgjegjshmëri të populistëve që kanë lëshuar mesazhe shumë të rrezikshme, duke vënë në dyshim efikasitetin e vaksinës kundër fruthit.

Lëvizja me 5 yje në Itali në vitin 2015 bëri thirrje për bojkot të fushatës së vaksinimit për Fruthin, për të shmangur sëmundje të rrezikshme si leuçemia, imunodepresioni, mutacione të ndryshme gjenetike apo dhe autizmi. /abcnews.al