Shtetet e Bashkuara mund të krijojnë një front të ri lufte tregtare pas atij me Kinën. Me konsensusin e Organizatës Botërore të Tregtisë, Uashingtoni mund të vendosë tarifa ndaj produkteve europiane, lëvizje të cilën Brukseli ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë me masa reciproke.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë të mërkurën dritën jeshile për të vendosur tarifa mbi 7.5 miliardë dollarë mallra të importuara nga vendet e Bashkimit Europian.
Vendimi i Organizatës Botërore të Tregtisë, që i lejon Amerikës ndërmarrjen e një nisme të tillë, do të thotë se tarifat mund të aplikohen mbi një sërë mallrash, nga pjesët e këmbimit të avionëve deri tek produktet me bazë peshku.
Duke reaguar, Brukseli zyrtar ka deklaruar se lëvizja është joproduktive për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Pala amerikane kishte dashur të vendoste tarifa për 11 miliardë dollarë produkte europiane, në shenjë hakmarrjeje për subvencionet që shtetet e kontinentit të vjetër kanë dhënë për kompaninë ajrore “Airbus”, rivale e amerikanes “Boeing”; por kuota u reduktua nga vendimi i OBT-së.
Komisioni Europian ka deklaruar se palët duhet të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.
“Por nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të zbatojnë vendimin e OBT-së, atëherë do ta detyrojnë BE-në që të bëjë të njëjtën gjë me produktet amerikane”, thuhet në një deklaratë.
Vendimi ka shkaktuar edhe reagimet personale të qeverive në mbarë Europën, përfshirë atë të Mbretërisë së Bashkuar, që deklaroi: “Vendosja e tarifave nuk është në interesin e Britanisë, BE-së dhe as vetë Shteteve të Bashkuara”.
Në Francë, ministri i Financave Bruno Le Maire tha se vendi i tij është gati t’i përgjigjet Uashingtonit së bashku me partnerët e tjerë europianë. Më e moderuar në reagim ka qenë kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha shkurt: “të shohim ç’do të ndodhë”./ABC News Albania 24/7