“Ura”, burg për 11 trafikantë/ Gjykata liron avokatin Armand Tragaj dhe dy të tjerë

schedule21:21 - 23 Maj, 2025

schedule 21:21 - 23 Maj, 2025

TIRANË– Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masat e sigurisë për 14 personat e arrestuar, në kuadër të operacionit “Ura”, i cili u finalizua në bashkëpunim me autoritetet italiane për çmontimin e rrjetit të trafikut të drogës.

Pas pesë orësh seancë, GJKKO caktoi “arrest me burg” për 11 të arrestuarit, ndërsa për tre të tjerë u aplikua masë më e butë sigurie, ajo e “detyrimit të paraqitjes”.

Gjyqtarja Rudina Palloi vendosi të lirojë avokatin Armand Tragaj, dhe dy anëtarë të tjerë të grupit, përkatësisht Ervis Detin dhe Bexhet Memën.

Nga operacioni i përbashkët “Ura” i cili u zhvillua mes Shqipërisë dhe Italisë çoi në goditjen e një grupi të fuqishëm kriminal me bazë në Durrës. Ajo që ka ndihmuar autoritetet ta zbërthejnë në detaje ka qenë përveç përgjimeve të ndryshme audio e ambientale edhe mesazhet e dekriptuara nga platforma Sky ECC.

Bëhet fjalë për ngarkesa të mëdha, ku vetëm njëra prej tyre ishte me 250 kilogramë kokainë dhe heroinë të pastër. Në të njëjtat biseda është zbuluar edhe “rrjedhja” e parave nga Puglia drejt Shqipërisë. Janë pagesa që bëheshin nga shoferët e autobusëve ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të DIA-s janë kapur shuma prej 4.5 milionë Eurosh.

Autoritetet kanë zbuluar nëpërmjet bisedave të përgjuara dërgesat e parave për të paguar drogën, të cilat janë zhvilluar në Bari për 500 mijë Euro. Këto grupe kanë qenë subjekt i goditjeve të drejtësisë edhe më parë.

Për shembull, janë sekuestruar 3 milionë euro cash në Durrës, 30 kilogramë heroinë dhe disa laboratorë në Bari, 2 tonë kokainë në Roterdam, 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro dhe 400 kilogramë hashash në Bari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!