Frikë nga Serbia? Kurti: Duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar

schedule15:04 - 5 Mars, 2022

schedule 15:04 - 5 Mars, 2022

Që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë vlera thelbësore si paqja dhe siguria në vend janë vënë në pikëpyetje.

Për këtë arsye kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova duhet të marrë të gjitha masat për sigurinë e vendit, dhe se qeveria duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar. Gjatë mbledhjes së 46-ë të Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se lufta Rusi-Ukrainë ka bërë të qartë rrezikun që vjen nga diktatorët.

“Ka kohë që ne edhe në dialogun në Bruksel kemi ngritur alarmin për rrezikun nga fqinji jonë verior agresiv, i cili nuk është penduar dhe nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës, që e mohon gjenocidin, masakrat e spastrimin etnik dhe i glorifikon kriminelët luftës”, tha Kurti.

Lexo edhe: Rreth 3 mijë ukrainas po strehohen në Gjermani që nga fillimi luftës

Kurti tha se është e qartë se Serbia po mban anën e Rusisë, “duke mos i vënë asaj asnjë sanksion, por madje duke organizuar tubime përkrahëse në Beograd”, shkruan Klan Kosova.

“Sigurisht se presidenti i Serbisë nuk e ka fuqinë as për së afërmi të atij të Rusisë, por e ka mbështetjen e tyre, dhe siç e kemi parë në disa raste, ata mundohen të përdorin analogjitë e paqena, me pretekste false për të arsyetuar luftën për territore të reja – e territore të reja për ta, do të thotë krime të reja të tyre”, deklaroi Kurti.

Kurti po ashtu tha se dënojnë ashpër mosdënimin e agresionit dhe mosvënien e sanksioneve nga Serbia, e cila kësisoj po i bashkohet Bjellorusisë.

“Nëse deri dje disa besonin se duke i ledhatuar autokratët zbuten ca e ndoshta edhe bëhen demokratë, tashmë duhet ta kenë marrë secili mësimin”, u shpreh ai.

“Derisa Serbia nuk pranon të mos nënshkruajë deklaratë mossulmimi e paqeje me Kosovën, ajo përbën kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë afatgjate dhe të përbashkët”, paralajmëroi Kurti.

Askush nuk mund të flasë më siguri se si do të zhvillohen ngjarjet në vijim. Ajo që dimë është se duhet të marrim të gjitha masat për të shtuar sigurinë dhe mobilizimin, në mënyrë që të jemi të përgatitur për çdo skenar”, përfundoi Kurti./abcnews.al/