Kombëtarja e Francës vazhdon të marrë vlerësime maksimale për paraqitjet e saj, duke u konsideruar nga ekspertët si favoritja kryesore për fitimin e Kupës së Botës.
I ftuar në emisionin “Futboll, jo Soccer” në ABC News, gazetari Fatmir Mneri u shpreh se “Gjelat” janë shumë pranë perfeksionit, edhe pse sipas tij kanë një pikë të dobët.
“Si çdo gjë në këtë botë që tenton drejt përsosmërisë, edhe Franca ka një pikë të dobët. Ajo është krahu i majtë i mbrojtjes. Megjithatë, mbetet pretendente absolute për trofeun e Kupës së Botës”, deklaroi Mneri.
Në të njëjtën linjë ishte edhe specialisti i futbollit, Ermal Tahiri, i cili pranoi se skuadra franceze ka disa problematika në repartin defensiv dhe në mesin e fushës, por theksoi se fuqia sulmuese e bën diferencën.
“Linja e mbrojtjes ka problematika. Edhe mesi i fushës ka disa mangësi, por Franca ka një katërshe sulmuese shumë të frikshme. Nuk di kë të marrësh e kë të lësh. Lojtarët e krahut, si Olise dhe Mbappé, janë jashtëzakonisht të shpejtë. Franca nuk ka nevojë për shumë ndërtim nga mbrojtja; mjafton t’ua japësh topin sulmuesve dhe ata krijojnë rrezik. Me ndeshjet që kemi parë deri tani, nuk ka ekip tjetër që na bind më shumë se Franca. As Spanja nuk është në këtë nivel”, u shpreh Tahiri.



