Kryeministri Edi Rama është mikëpritur nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović në samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Samiti mbledh liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.
Takimi zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit të mbajtur në Bruksel dhe do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ndërsa do të mikpritet nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Në Samit do të marrin pjesë gjithashtu Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Nën temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët do të diskutojnë mbi ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.


