FOTO/ Ushtria mbërrin në kufi, kaos me rusët që duan të arratisen

schedule15:53 - 27 Shtator, 2022

schedule 15:53 - 27 Shtator, 2022

Ka një fluks të vazhdueshëm njerëzish që po kalojnë përmes pikës kufitare të Larsit të Epërm nga Rusia në Gjeorgji. Ata vijnë në grupe, duke tërhequr zvarrë valixhet pas vetes, disa me makina, të tjerët me biçikleta, shkruan BBC.

Të gjithë ata duken të rraskapitur, të uritur dhe të privuar nga gjumi. Por ata janë të lehtësuar që ndodhen aty. Ata mendojnë se janë të sigurt. Ilya, i cili është në fund të të 20-ave, qëndron pranë babait të tij. Ata vendosën të largoheshin nga Moska sapo Vladimir Putin shpalli mobilizimin e pjesshëm.

Ilya më tregoi një foto vajzës së tij të vogël Arisha. Ai tha se donte ta shihte të rritej dhe të mos vdiste në këtë luftë të pakuptimtë.

Gazetari i BBC raporton se takoi edhe dy vëllezër në fillim të të 20-tave – Dima dhe Zhenya,  të cilët kanë udhëtuar prej ditësh nga Bashkiria. Dima kërkoi të telefonte nënën e tij. Në anën tjetër të linjës u dëgjua një psherëtimë lehtësimi.

Një tjetër i ri nga Moska tha se arsyeja që ai ishte këtu ishte për shkak të Vladimir Putinit. Të gjithë thonë të njëjtën gjë: ata nuk janë dakord me luftën, por shtrirja e represionit në Rusi i ka bërë ata të pafuqishëm.

Pas dyndjes së rusëve në Gjeorgji, në pikat kufitare me këtë shtet kanë mbërritur forcat e ushtrisë, të cilët mbledhin këdo që parashikohet të mobilizohet sipas urdhrit të Putinit.

/abcnews.al