Formularët duhet të jenë personalë, shqiptarët e bllokuar në Kapshticë: Do na skadojnë tamponët

schedule11:19 - 21 Shtator, 2020

schedule 11:19 - 21 Shtator, 2020

Rreth 100 qytetarë vijojnë të qëndrojnë të bllokuar në pikën kufitare në Kapshticë, shkak për këtë është bërë aplikimi në grup dhe jo në mënyrë individuale.

Gazetarja e ABC News Lediona Xheladinaj raportoi se pala greke ka theksuar se do të vijojnë me të njëjtat rregulla pasi duhet formulari personal dhe jo në grup.

Ndërkohë Policia ka bërë me dije se ka filluar hetimi ndaj agjencisë, pasi paratë janë marrë për procedurën individuale, ndërsa formulari është plotësuar në grup.

“Të gjithë janë të korruptuar. Marrin njerëz pa mjet identifikimi, pa përgjigjen e analizës së tamponit, i lajmërojnë kur nuk bëhen kontrolle dhe i kalojnë. Na u komunikua se ne nuk kalojmë dot, të gjithë të tjerët po kalojnë, ne jo. Agjencia thotë se letrat janë në rregull”, u shpreh një qytetar.

Lexo edhe: Shkak formulari, 50 shqiptarë bllokohen në Kapshticë

Qytetarët e bllokuar në kufi, thanë se tamponi ka afat deri në orën 23:00, të mbrëmjes së sotme, ndërsa kushton 100 euro dhe në këtë mënyrë ata shprehen se nuk kanë mundësi të ribëjnë sërish letrat pasi duhet të shpenzojnë të tjera para dhe nuk kanë mundësi ekonomike.

Ata gjithashtu kanë treguar dokumentet që disponojnë dhe kërkojnë që kjo situatë të zgjidhet.

“Kemi që në orën 23:00 që jemi nisur nga Pogradeci dhe ende jemi këtu. Aplikimin e kemi bëri siç na u kërkuar, por në momentin që erdhëm këtu na thanë se nuk është e duhura. Shefi i doganës nuk na lejon. Ne do të qëndrojmë këtu të presim”, tha një tjetër qytetar.I.K;/abcnews.al/