Flamurtari pranë finales së Kupës/Fitoi 1-0 në Korçë ndaj Skënderbeut

schedule19:58 - 4 Prill, 2018

schedule 19:58 - 4 Prill, 2018

Flamurtari shkaktoi një të papritur të madhe duke fituar në Korçë ndaj Skënderbeut, e duke qenë fare pranë finales së Kupës së Shqipërisë. Kryesuesit e Superligës duken në krizë të thellë pas dënimit nga UEFA.

A thua ka nisur rrëzimi i pandalshëm?

Shumë shpejt ta thuash, dhe as nuk ta bën goja, veçse Skënderbeu pësoi humbjen e dytë radhazi, këtë herë brenda në shtëpi, dhe që mund ta dënojë me eleminim nga Kupa e Shqipërisë.

Flamurtari triumfoi 1-0 në Vlorë me një gol të Danilo Alveshit 8 minuta para fundit, duke hedhur hapin e parë, tepër të madh drejt finales, dhe drejt realizimit të ëndrrës europiane që thuajse e kompromentoi plotësisht në Superligë.

Sa shpejt ndryshon realiteti në futboll, aq shpejt sa thuhet se ndryshon vetë bota ku jetojmë, kur deri 10 ditë më parë Skënderbeu ishte I paprekshëm dhe vlonjatët në krizë të plotë.

Trajneri Shpëtim Duro mori shpërblimin për punën e tij, që ishte vënë në dyshim duke I tronditur deri edhe stolin në Vlorë.

Pavarësisht se korçarët luajtë fort, sërish Flamurtari u duk krejt tjetër nga ai I kohëve të fundit, me mjaft autoritet në fushën më të vështirë në Shqipëri.

Çfarë po ndodh me kryesuesit e Superligës?

Mos vallë nuk po bëjnë punë sigurimet e presidentit Takaj mbi fitimin e gjyqit në KAS dhe lojtarët janë të prerë nga mungesa e Championsit, apo mos vallë po mendojnë që tani për të shkuar diku tjetër?

As kjo nuk mund të vërtetohet, por mund të pohohet se ky është shkaku kryesor i rënies së madhe.

Po ashtu, flitet për vonesa të rrogave te bardhekuqtë, diçka që shumë rrallë është dëgjuar në këtë klub.

Nuk është problemi që korçarët mund të mos dalin në finale, e mund të mos fitojnë Kupën, pasi ky kompeticion nuk ka qenë kurrë miqësor me ta.

Shqetësimi është se kjo krizë mund të vazhdojë, edhe pse titulli nuk pritet të rrezikohet.

Nëse në Korçë u hodh një hap i madh, në Laçi hapi ishte i vogël.

Kukësi mund të quhet favorit për të dalë në finale, pas barazimit pa gola në fushën e kurbinasve.

Kampionët arritën madje të shënonin, por ai u anulua pasi gjyqtari Andi Koçi dalloi një ndërhyrje të gabuar në zonë, veçse ky rezultat u bën punë.

Vendasit u treguan shumë agresivë, duke ushtruar presion, edhe pse nuk patën shumë raste për shënim, ndërsa skuadra e trajnerit Peter Pakult më shumë u kujdes të kontrollonte lojën.

Kualifikimi mbetet i hapur, veçse Kukësi është më pranë finales. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!