Në fjalimin e tij të fundit si Ministër i Brendshëm, 9 ditë pas dorëheqjes, Fatmir Xhafaj nuk zbuloi ndonjë motiv për largimin e tij. Por Xhafa nuk la pa përmendur shantazhe që i janë bërë nga agjensi ligjzbatuese vendase. Fatmir Xhafaj vlerësoi si të përmbushura 6 prioritetet në krye të Ministrisë së Brendshme.
Gjatë nëntë ditëve pasuese të doreheqjes së tij nga posti i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk ndau publikisht arsyet që e ccuan në këtë vendim. Një motiv konkret ai nuk dha as në takimin e fundit me ish-vartësit në Ministrinë e Brendshme, një ditë para se Kuvendi të votojë shkarkimin e tij.
“Po largohem nga kjo detyrë, rrjedhojë e një vendimi të pa imponuar nga ndonjë rrethanë objektive, apo subjektive, por si një vendim i marrë besoj në kohën e duhur, pasi përmbusha, besoj, më së miri objektivat kryesore që i vura vetes në ditën kur vendosa ta pranoja dhe ripranoja këtë sfidë”.
Ish-ministri më i sulmuar nga opozita nuk la pa i faturuar asaj në fjalimin e fundit manipulimin e audio-përgjimit për vëllain e tij. Por veç saj, Xhafaj akuzoi direkt si të përfshira edhe segmente të institucioneve shtetërore, por pë i identifikuar me emër.
“Duke përfshirë këtu edhe manipulimin komplet kriminal të bërë në çështjen e audio- përgjimit me një qëllim final: shantazhin ndaj meje në funksionin e ministrit. E për fat të keq në këtë orkestrim duket se janë përfshirë edhe segmente të disa agjencive ligj zbatuese vendase. Dua të nënvizoj edhe faktin se ky sulm jo vetëm ka në themel diletantizmin politik të opozitës, por ai edhe për këtë shkak, ka pas tij interesat e botës së krimit”.
Xhafaj tha se nuk ka rëndësi se sa kohë rri ulur në një karrige pushteti, po se çfarë bën e se si sillesh me të.
“Ka njerëz që e quajnë të rëndësishme uljen në një karrige pushteti dhe qenien pjesë e administrimit të tij si forcë mbi të tjerët dhe një pjesë e tyre jo e vogël e shohin pushtetin edhe si mundësia e artë për pasuri e përfitime personale”.
Para ish-vartësve Xhafaj vlerësoi si të përmbushura gjashtë prioritetet, nga lufta me kanabisin, bllokimi i kufinjve për azilkërkuesit dhe operacionet “Forca e Ligjit” e “Ndërshkimi i ‘të fortëve'”.
“Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.
“Me një punë të mirë organizuar, ne mundëm që brenda 12 muajve t’i kthejmë shifrat e azil kërkimit nga një histori dështimi në një histori suksesi”.
“Në afro 11 muaj janë zhvilluar rreth 22 operacione policore, janë goditur dhë ndëshkuar 11 grupe të strukturuara kriminale të skeduara nga TFSQ, me mbi 175 persona të arrestuar drejtues dhe anëtarë të këtyre grupeve kriminale, si dhe janë sekuestruar vetëm prej tyre rreth 20 milionë euro pasuri”.
Në përfundim të fjalës së tij, Xhafaj kërkoi nga ish-vartësit luftë pa kompromis ndaj krimit dhe paligjshmërisë, si shërbimi më i madh që mund t’i bënin vendit dhe të ardhmes./abcnews.al