Fitorja në sekondat e fundit ndaj Wolves, Mourinho flet pas ndeshjes

schedule18:59 - 15 Dhjetor, 2019

schedule 18:59 - 15 Dhjetor, 2019

Tottenham arriti një fitore shumë të rëndësishme 1-2 në tranfertën e Wolves. Londinezët arritën të thyejnë dhe rekordin pozitiv të vendasve, të cilët nuk njihnin humbjen në kampionat që prej 11 ndeshjesh. Jose Mourinho pas takimit vlerësoi kundërshtarin dhe beson se ekipi i tij po rritet nga ndeshja në ndeshje.

”Nuno duhet të jetë shumë krenar për ekipin e tij. Wolves gjithmonë do të jetë një kundërshtar i fortë për këdo. E thashë para ndeshjes se ato janë një ekip i kompletuar nga të gjitha anët. Ne e dinim që nuk do të ishte ndeshje e lehtë, prandaj nuk na kapën dot në befasi,” deklaron tekniku portugez për mediat pas ndeshjes.

”E filluam shumë mirë sfidën, duke kaluar në avantazh. Gati sa shënuam edhe të dytin, por ato janë shumë të fortë. Adama Traore dhe Diogo Jota janë shumë të rrezikshëm në kundërsulm. Kur ndeshja u barazua, Wolves provoi gjithçka ashtu siç bëmë edhe ne. Në pesë minutat e fundit bëmë gjithçka mirë, duke shënuar dhe golin e fitores,” mbyll Mourinho. /abcnews.al