Finalizohet operacioni policor i koduar “Vila”, në kuadër të të cilit është arrestuar në Palasë një 50-vjeçar i shpallur në kërkim nga SPAK, për veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri shoqërore, strukturat policore siguruan informacion mbi vendndodhjen e të kërkuarit dhe organizuan operacionin “Vila”.
Sipas Policisë, 50-vjeçari, lindur në Fier, u lokalizua në një vilë në Palasë, ku shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndërhynë duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
I arrestuari ishte shpallur në kërkim pasi, në korrik të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai dyshohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.


