Kryeministri Edi Rama ishte në Cërrik, në një vizitë në fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”, e cila do të shërbejë si një platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët, të cilët do të mund të përdorin metoda inovative për kultivimin e produkteve bujqësore.
Rama u shpreh se ky është një zhvillim pozitiv, në drejtim të bashkëpunimit, sa i takon fshatit, tokës, bujqësisë cilësore.
Kreu i qeverisë shtoi se do të ketë marrëveshje tjetër me Izraelin, për të sjellë në Shqipëri sa më shumë eksperiencë në sektorë të ndryshëm.
“Kjo është, besoj unë edhe arsyeja pse ne i kemi të gjitha shkaqet për të qenë optimist edhe për këtë program, shkollë, bashki që ka hedhur hapa kurajozë dhe të admirueshëm, të vënies në shfrytëzim të asaj që ofron teknilogjia, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Më vjen shumë mirë për këtë zhvillim kaq pozitiv, në drejtim të bashkëpunimit, sa i takon fshatit, tokës, bujqësisë cilësore. Ky është vetëm një hap, presim me padurim të firmosim një marrëveshje të rëndësishme me shtetin izraelit për të hapur kapitull të ri në këtë marrëdhënie, për të transferuar në Shqipëri sa më shumë eksperiencë. Faleminderit miqve që kanë ardhur këtu. Shpresoj të rikthehemi këtu për të parë të tjera bashkëpunime të bukura”, theksoi ai./abcnews.al


