Farruk Sejdini kritikon Panuçin

schedule16:56 - 4 Qershor, 2018

schedule 16:56 - 4 Qershor, 2018

Trajneri Panuçi ka nevojë të gjejë sa më shpejt idetë e duhura për kombëtaren. Specialisti Farruk Sejdini ka kritika për punën e italianit, ndërsa ndihet pesimist për të ardhmen.

Ky ekip iu duk një kaos i vërtetë.

Jo vetëm nuk e bindi aspak, por edhe e cilësoi sit ë çoroditur kombëtaren që u vu përballë Kosovës e Ukrainës.

Farruk Sejdini, ish-zv/trajneri i përfaqësueses, gjykon se trajneri i sotëm, Kristian Panuçi, duhet të ndajë mendjen sa më shpejt se çfarë do të bëjë, nëse dëshiron që të ketë shpresë në Shtator.

Sejdini bën analizën e dy ndeshjeve dhe nxjerr disa probleme që kanë të bëjnë me zgjedhjet e italianit, por edhe me paraqitjen e lojtarëve të rinj.

Farruk Sejdini: “Një trajner mund të ketë shumë ide, por kur nuk arrin që një nga këto idetë t’i përçojë dhe t’i bëjë aplikative me ekipin që ka më duket se kjo është një dështim. Ndonjëherë luan me shumë mbrojtësa dhe nuk ka një lojtar që t’i japë frymëmarrje ekipit”.

Ish-kampioni i Shqipërisë me Dinamon e fton gjithashtu Panuçin të bëjë prapakthehu me disa nga lojtarët e vjetër.

Farruk Sejdini: “Lojtarët të ashtuquajtur titullarë të asaj periudhe më duket sikur u zëvendësuan me fushata. Futbolli nuk pranon fushata por pranon gjunj. Lojtarët përderisa kishin gjunj dhe e justifikonin me ekipet e tyre nuk më dukej e udhës që t’i bihej lapsit dhe të largoheshin”.

Cili është gjykimi i tij për punën e Panuçit deri tani, sa shpresë i jep ky trajner?

Farruk Sejdini:Ndoshta ne na pëlqeu në fillim që kemi një trajner që ka lojë sulmuese. Unë nuk e mbështes këtë ide se nëse do të bësh shkencë bëhet në lojë aplikative. Nuk mund të bësh lojë sulmi kur nuk ke lojtarë me tipare sulmuese”.

Si e shikon Sejdini të ardhmen e kombëtares, a mund të furnizohet siç duhet ajo nga Superliga shqiptare? Specialisti me përvojë sheh dy rreziqe.

Farruk Sejdini: “Tani jemi dy vende edhe lojtarët filluan dhe po ndahen. Një pjesë po shkon te ekipi kosovar. Na del si detyrë imediate që të kemi prodhime këtu në futbollin shqiptar”.

Sejdini mendon se klubet kanë kanë faj për këtë gjendje, por edhe federata. Sipas tij, duhet stimuluar aktivizimi i të rinjve në ekipet e Superligës./abcnews.al