Facebook parandalon ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane

schedule10:46 - 1 Gusht, 2018

schedule 10:46 - 1 Gusht, 2018

Facebook ka parandaluar një ndërhyrje të mundshme në zgjedhjet afatmesme që mbahen në fund të vitit në Shtetet e Bashkuara, duke fshirë nga rrjeti një seri profilesh të rreme, që synonin të manipulonin politikisht përdoruesit.

Stafi i Facebook ka deklaruar të martën se ka asgjësuar 32 profile dhe faqe që mendohet të jenë krijuar për të influencuar në zgjedhjet afatmesme të Shteteve të Bashkuara, që mbahen në Nëntor. Përmes një komunikate, rrjeti social ka bërë të ditur se stafi i tij ka konstatuar 17 profile të rreme në Facebook dhe 7 të tjera në Instagram, të cilat kishin realizuar mbi 9.500 postime dhe publikuar 150 reklama me vlerë 11 mijë dollarë.

Ndërkohë, mbi 290 mijë përdorues kishin zgjedhur të ndiqnin aktivitetet e faqeve të krijuara, motiv për të cilin stafi i Facebook i ka paralajmëruar të bëjnë kujdes. Në njoftimin për shtyp të rrjetit social thuhet se hetimi mbi këtë ndërhyrje të planifikuar është ende në fazën fillestare dhe ende nuk dihet se kush mund të jetë pas saj.

Facebook thekson se, për të fshehur identitetin e tyre, autorët kishin marë masa më të forta se ato të marra nga kompanitë ruse për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë. Mes tyre përfshihen përdorimi i rrjeteve virtuale private për të fshehur vendndodhjen dhe përdorimin e personave të tretë për të menaxhuar faqet dhe reklamat.

Për momentin nuk është gjetur asnjë provë që të sugjerojë se autorët e profileve të rreme mund të kenë lidhje me Rusinë dhe stafi i rrjetit social ka shtuar se mund të mos e gjejë kurrë burimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!