Evazion fiskal me ilaçet, goditet trekëndëshi Kinë – Shqipëri – Itali

schedule14:27 - 8 Janar, 2019

schedule 14:27 - 8 Janar, 2019

Policia Financiare italiane ka goditur tre kompani për mashtrim fiskal, ku njëra prej tyre e kishte selinë në Tiranë. Ndërsa dy kombanitë e tjera sipas mediave italiane e kishin bazën në Cosenza të Italisë.

Tre bizneset operojnin në sektorin e prodhimit e tregtimit të produkteve mjekësore. Kompanitë akuzohen për mashtrim fiskal në faturat e tregtimit të ilaçeve me qëllim uljen e taksës tatimore.

Ndërkohë raportohet se medikamentet mjekësore bliheshin me çmim mjaft të lirë në Kinë e Pakistan. Si fillim ilaçet tregtoheshin në Shqipëri. Më pas nga vendi ynë ata dërgoheshin në Itali dhe shiteshin me një vlerë të dyfishuar nga çmimi i tyre real.

Operacioni i koduar “Trekëndëshi” bëri të mundur goditjen e skemë së mashtrimit fiskal me vlerë mbi 800 mijë euro. Sakaq mësohet se tre kompanitë drejtoheshin nga dy sipërmarës italianë banues në Kozenca e anëtarë të së njëjtës familje.

Hetimet u udhëhoqën nga prokurorët Pier Paolo Bruni e Maurizio De Franchis. Dy prokurorët kanë zbardhur se këto kompani që operojnë në sektorin e “Prodhimit e tregtimit të produkteve mjekësore”, me anë të një mekanizmit të sofistikuar mashtrimi, kanë kryer një evazion tatimesh në vlerë monetare mbi 800 mijë euro.

Më tej bëhet e ditur se kompania e ilaçeve me bazë në Tiranë, blinte mallra nga furnizuesit në Kinë e Pakistan. Nga Shqipëria ilaçet dërgoheshin në portin e Gioia Tauros me destinacion final dy kompanitë në Cosenza të Italisë.

Kompania shqiptare blinte produkte mjekësore nga furnizues në vende jo të Bashkimit Europian e i shiste më pas në Itali. Ajo i dërgonte ilaçet drejt vendit fqinj pa iu nënshtruar asnjë procesi përpunimi e duke dyfishuar vlerën çmimit të tyre.

Në këtë mënyrë, me anë të këtij mashtrimi fiskal, dy kompanitë e ilaçeve në Itali rrisnin koston e mallrave që tregtonin. Kompanitë ulnin vlerën e tyre tatimore me përfitime ekonomike të paligjshme e të pajustifikueshme./abcnews.al/