Diplomati amerikan, Gabriel Escobar ka vizituar ditën e sotme Tiranën, vetëm pak ditë nga nisja zyrtare e fushatës për zgjedhjet lokale të “14 Majit”.
Ditën e sotme ai zhvilloi një takim me kryeministrin, Edi Rama dhe Presidentin, Bajram Begaj, ndërsa ditën e nesërme do të takojë opozitën e vendit, përfshirë Ilir Metën, por jo Sali Berishën.
Pas dy takimeve të sotme, Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar duke thënë se vizita e Escobar nënvizon rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Postimi i plotë:
Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, mbërriti sot në Tiranë për takime me Presidentin Begaj, kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka dhe drejtues të tjerë.
Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme bashkiake në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë. Ai do të diskutojë gjithashtu bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për prioritetet rajonale dhe globale, përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës. r.t/abcnews.al