Ermonela Jaho shkëlqen në Londër

schedule17:49 - 1 Shkurt, 2019

schedule 17:49 - 1 Shkurt, 2019

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho me realizimin e shfaqjes së fundit të Traviatës në operan e Londrës shkëlqen. Performanca e saj nën petkat e Violetës u ndoq drejtpërdrejtë nga Royal Opera në 1500 kinema. Në faqen zyrtare të operas shoqëruar me një video të artistes shkruhet “emocionuese, kjo është prova që opera është forma më sublime e artit”.

Është hera e tretë që sopranoja shqiptare Ermonela Jaho magjeps publikun londinez. Fillimisht me interpretimin e saj “Suor Angelica” në 2015-n, “Madamë Butterfly” në 2017-n dhe së fundmi  me rolin e Violetës tek Traviata. Dy vjet pas “Madame Butterfly”, ajo jo vetëm përsërit historinë, duke u ndjekur nga opera e Londrës në 1500 kinema të botës, por ajo përlot spektatorin me interpretimin e saj të ndjerë.

Në faqen zyrtare të Royal Opera House shkruhet “Emocionuese, kjo është prova se opera është forma më sublime e artit”. Mbyllja e perdes në performancën e shqiptares Ermonela Jaho në “La Traviata” është veç vërtetim i kësaj thënieje.

Ermonela Jaho është tashmë një nga interpretueset e mëdha të verizmit. Rolin e Violetës e ka interpretuar 256 herë  në teatro të ndryshëm në botë. Pas suksesit ne Londër Ermonela Jaho me 12 Shkurt do të jetë në Berlin me Puçinin./abcnews.al