Arrestohet në Londër 35-vjeçari Korado Gështenja, i kërkuar nga SPAK për përfshirjen e dyshuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Gështënja, i cili në Britani dyshohet se përdorte identitet të rremë, është ndaluar me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Arrestimi u krye pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës, BKH-së dhe skuadrës britanike të ekstradimeve pranë NCA-së. Gështënja përdorte në Angli edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.
Gjykata britanike do të shqyrtojë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij, në seancën që do të mbahet në 2 shtator.
Sipas dosjes së SPAK, Gështënja dyshohet se ka marrë pjesë fillimisht në vëzhgimin dhe më pas në rrëmbimin e Jan Prengës, më 17 janar 2020.
Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku u pa për herë të fundit. Trupi i tij nuk është gjetur ende.
Sipas hetimeve të SPAK, rrëmbimi dyshohet se ishte porositur si akt hakmarrjeje pas humbjes së një sasie prej 260 kg drogë në Britani, ku ishte i përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.

