Era e fortë i prishi çadrën, familja Pera fut 3 femijët nën gërmadha, nëna: Eja provoje edhe ti z.Rama

schedule20:23 / 06/01/2020

Familja Pera në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit u zhvendos të jetonte në çadër pas tërmetit të 26 nëntorit. Por erërat e forta të së dielës prishën edhe strehën e re të familjes, duke i detyruar 8 pjesëtarët e saj të zhvendosen.

 

Bora Pera është nënë e tre fëmijë, më i vogli prej të cilëve 7 muajsh. Basti që ka vënë me veten përballë kushteve të rënda atmosferike është i madh.

“Fëmijët i kam rrezikuar, i kam futur brenda nuk kam çfarë të bëj, të paktën brenda them i kam mbuluar kalamajt me shumë batanije dhe po ra catia, të paktën shumë jorganë që t’i mbroj se nuk kam sesi. Edhe te bashkia thonë që për shtëpitë private nuk ka bonus, a mund të rrijë fëmija 7 muajsh në çadër, është tmerr”, shprehet ajo.

Çatinë kanë tentuar ta restaurojnë, pavarësihst se dukshëm dhoma ka marrë goditje të fortë. Rriskun që ka marrë me veten dhe fëmijët e saj, Bora sfidon ta marrë edhe kryeministri Rama i cili ka deklaruar se për banesat private zgjidhja emergjente do të jetë vetëm qëndresa në çadra.

“Këtë thotë edhe kryeministri Edi Rama, ai ka fëmijë vetë, duhet ta llogjikojë vetë, shiko si është me grip, ku ta çoj unë fëminë në çadër? Unë nuk e kuptoj a janë normalë këta njerëz a nuk janë. Të vijë Rama ta provojë të rrijë në çadër”, shprehet ajo.

Kur vendimi për të qëndruar nën rrënoja përballë kushteve të vështira atmosferike është marrë, lutja e vetme është që toka të mos dridhet sërish pasi tragjeditë do të ishin të pashmangshme./abcnews.al

schedule20:23 / 06/01/2020