Kryebashkiaku i qytetit kinez Uhan, që konsiderohet dhe vatra e koronavirusit që ka shkaktuar tashmë 9 viktima në Kinë, u ka bërë apel të gjithëve që të mos udhëtojnë drejt qytetit të tij.
“Nëse nuk është e domosdoshme, i sugjerojmë të gjithëve që të mos vijnë në Uhan”. Ishte kjo deklarata e kryebashkiakut të qytetit kinez, i konsideruar si vatra e koronavirusit, gjatë një interviste televizive.
Ai shtoi se reduktimi i fluksit të personave, do të ulë mundësinë që virusi të përhapet dhe do të lehtësojë presionin ndaj përpjekjeve për kontrollin dhe parandalimin.
Qyteti tashmë ka dhe një seli qendrore për kontrollin dhe përballjen me epideminë. Gjithashtu janë shtuar masat për mbajtjen në vëzhgim të rasteve të dyshuara.
Për shkak të zhvillimeve të fundit, administrata e qytetit ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet që lidhen me festimet e vitit të ri kinez.
Rreth dy mijë vende shtretërish janë porositur nga spitale dhe klinika të qytetit për mjekuar ata që janë prekur nga pneumonia virale.
Qeveria vendore ka marrë përsipër të paguajë shpenzimet mjekësore nga personat e prekur që nuk kanë sigurime shendetësore./abcnews.al