Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin e mëngjesit në “ABC News” me Enkel Demin, ka folur gjithashtu edhe në lidhje me normalitetin e ri, pas koronavirusit.
I pyetur nëse ka gjasa që karantina të zgjasë deri në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme, Rama u shpreh ne nuk do të ketë një normalitet si ai para vitit 2019 deri në krijimin e një vaksinë.
Edi Rama: Nuk ka gjasa të jetojmë si normalisht derisa të dalë vaksina. Deri atëherë ky armik i padukshëm do të jetë mes nesh. Duhet te adoptojmë një sjellje të ndryshme nga ajo e para. Por nuk a gjasë të vazhdojmë me masa shtrënguese deri kur të dalë vaksina. Duhet që secili prej nesh të jetë roja i vetvetes. Do të jetë një normalitet i ri.
Ndërsa, i pyetur nëse do të kemi një vaksinë së shpejti, Rama sërish u shpreh se nuk preferon t’ju hyjë këtyre temave.
Enkel Demi: Mjekët që erdhën nga Italia u karantinuan në kushte shtëpie, pse të tjerët që vinë nga shtete të tjera duhet të karantinohen në hotele?
Edi Rama: Më gjeni të pa përgatitur. Nuk e di, mbase keni të drejtë. Që t’u jap përgjigje më duhet të jem i informuar. Di që janë testuar dhe kanë dalë negativë, para se të vinin.
Kryeministri shtoi gjithashtu se do vazhdojmë të jemi në “luftë” deri sa të dalë vaksina.
Në bisedë e sipër, gazetari Enkel Demi e ngacmoi kryeministrin duke e pyetur se çfarë ndodhte nëse “ai ishte dezertor dhe nuk merrte pjesë në luftën e tij”.
Në lidhje me këtë Rama tha se kjo nuk ishte lufta e tij, por lufta e njerëzimit për të mbrojtur veten.
Pjesë nga biseda:
Enkel Demi: Jemi akoma në luftë?
Edi Rama: Derisa të dalë vaksina.
Enkel Demi: Nëse unë jam dezertor nuk marr pjesë te lufta juaj ka ndonjë problem?
Edi Rama: Kjo nuk është lufta ime, kjo është lufta e njerëzimit për të mbrojtur veten nga një rrezik që siç e kemi parë mund të kthehet në një tragjedi kombëtare./abcnews.al/