Emri, Zaev dhe Tsipras gati për të firmosur marrëveshjen

schedule13:12 - 30 Maj, 2018

schedule 13:12 - 30 Maj, 2018

Sipas mediave maqedonase, kryeministri i vendit, Zoran Zaev dhe homologu i tij grek Tsipras janë gati për të firmosur marrëveshjen përfundimtare për çështjen e emrit, variant përfundimtar i të cilit përflitet të jetë Republika e Maqedonisë Veriore.

Dhe pse palët nuk zbulojnë detaje rreth kornizës për zgjidhjen e çështjes së emrit, mediat maqedonase shkruajnë se është arritur një marrëveshje përfundimtare mes kryeministrit të Maqedonisë dhe Greqisë përsa i përket çështjes së emrit.

Ministri i jashtëm grek Kotzias gjatë vizitës zyrtare në Gjermani ka folur dhë për çështjen e emrit me Maqedoninë, duke theksuar se me homologun maqedonas kanë bërë gjithçka që ishte e mundur për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare të pranueshme dhe se aktualisht me këtë çështje po merren grupet e punës.

Kotzias shtoi se grupet e punës të Maqedonisë, Greqisë dhe OKB-së po punojnë në përgatitjen e marrëveshjes për të cilën duhet të vendosin Zaev e Tsipras. Zëvendësministri i Jashtëm grek Katrugalos këmbënguli se marrëveshja do të mund të firmoset nëse kreu i ekzekutivit maqedonas Zaev do të pranojë të bëjë ndryshime në Kushtetutën e vendit.

Në mënyrë jo zyrtare flitet se palët kanë zgjedhur propozimin “Republika e Maqedonisë Veriore”, ndërsa plani për zbatimin e marrëveshjes përmban 11 pika. Kështu në rast se kryeministrat dakordohen dhe caktojnë takim në Prespë për zyrtarizimin e marrëveshjes, ajo fillimisht duhet të votohet me shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Maqedonisë; më pas Greqia do të njoftojë NATO-n se e lejon anëtarësimin e vendi dhe NATO do t’i bëjë ftesë zyrtare për anëtarësim më 11 dhe 12 Korrik.

Ndërsa paraprakisht, në Qershor vendi do të marrë datë për fillimin e  negociatave me BE-në. Më 8 Shtator do të mbahet referendum për emrin e ri. Pas referendumit, Kuvendi me shumicë prej 2/3 do të ndryshojë Kushtetutën. Dhe në fund marrëveshja do të ratifikohet në Parlamentin grek. Por kjo skemë e publikuar nga mediat greke, ka nxitur reagimin e ashpër të opozitës greke.

Për Demokracinë e Re është e paimagjinueshme që qeveria greke të shesë armën e negociatave që ka në dorë aktualisht, të lejojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE e të presë që Maqedonia të përmbushë marrëveshjen me këste. Nga ana tjetër, Presidenti i Maqedonisë Ivanov kërkon që të informohet rreth të rejave të fundit në negociatat për emrin, rreth kornizës dhe grupeve të punës që po hartojnë marrëveshjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!