Shtetasit Ramazan Koçiu, Edmond Shkurti dhe Abaz Idrizi janë arrestuar nga policia e Fierit, pasi dyshohet se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor në Fier dhe në Lushnjë, pa licencën nga organet kompetente.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga, 2 500 korona, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 5 celularë.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u vu në hetim shtetasi 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një shumë e vogël parash e përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


