Emi Martinez, historia e një djaloshi argjentinas që u firmos me lot

schedule19:33 - 4 Gusht, 2020

schedule 19:33 - 4 Gusht, 2020

Ndoshta pak prej jush e njihni, dhe me të drejtë, pasi karriera e tij nuk është e duhura për t’i dhënë luksin e famës dhe protagonistit. Emiliano Martinez, portieri argjentinas i Arsenalit, ka një histori të dhimbshme…

“Të lutemi mos u largo!”, ishin klithmat e familjarëve të tij në Argjentinë kur mori ofertën nga Arsenali, që në moshën 17-vjeçare.

“Më duhej të largohesha, edhe pse lotët e mamasë time nuk i duroja dot. Por nuk duroja dot as lotët e babait tim, që qante çdo natë pasi nuk na ofronte dot bukë për të ngrënë”. Këto janë fjalët e gardianit të Arsenalit, në një rrëfim që bëri pasi fitoi FA Cup, trofeu i tij i parë si profesionist.

Plot 10 vite tek Arsenali, 6 huazime, asnjëherë titullar, por më e rëndësishmja, asnjëherë nuk u dorëzua. Priti momentin e tij dhe kur i erdhi, shkëlqeu… Dëmtimi i Bernd Leno kundër Brighton disa javë më parë, i dha mundësinë më në fund argjentinasit të ishte titullar dhe që nga ajo ndeshje, nuk e ktheu kokën pas.

Titullar dhe në finalen e FA Cup kundër Chelsea, finale të cilën Arsenali e fitoi dhe pas ndeshjes në intervistë, Martinez shpërtheu në lot. Lot të mbartura prej 10 vitesh, ndoshta dhe më shumë, që nga koha e fëmijërisë së vuajtshme në Argjentinë. Një inspirim! (Veronik Istrefaj / abcnews.al)