Numri i personave të prekurve me COVID-19 në qytetin e Elbasanit ka shkuar në 24. Vetëm ditën e sotme kanë qenë 8 raste të cilat sipas burimeve janë kontakte të personave të konfirmuar më parë me COVID-19.
Një shifër kaq e lartë të prekurish në 24 orë që prej 9 marsi Elbasani nuk ka pasur. Të infektuarit e rinj janë karantinuar në banesat e tyre dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ndërkohë në Durrës çdo ditë rritet numri i të infektuarve me COVID-19. Këtë fillim jave janë konfirmuar 6 të prekur të rinj. Të gjithë kontakte të infektuarve të mëparshëm.
Durrësi është qarku i dytë pas Tiranës për rastet aktive me koronavirus. Duke shkuar në total në 213 të prekur nga virusi i ri.
Ndërkaq në Krujë dhe Kurbin raportohet për 9 të infektuar të rinj.
Nga të cilët 5 në Krujë dhe 4 në Kurbin. Të gjithë të afërm të konfirmuarve të mëparshëm.
Edhe në Kukës janë regjistruar 5 raste të reja, pjesa më e madhe dyshohet se janë infektuar në një ceremoni mortore, ndërsa një 30 vjeçar është i afërm i një prej punonjësve të Këshillit Bashkiak të Kukësit që rezultoi pozitiv pak ditë më parë.
Sakaq në Përmet zyra e OSHEE është mbyllur pasi një arkëtare ka rezultuar pozitive me COVID- 19. Tani Përmetit i shtohet një vatër e re.
Përmeti është kthyer në një vatër të rrezikshme në Qarkun e Gjirokastrës. Nga 15 raste në këtë qark, 9 i përkasin Përmetit.
Epidemiologët po ndjekin gjithë zinxhirin e kontakteve të punonjëses të OSHEE pasi ato janë të shumta për shkak të punës që bënte me klientët, të cilët paguanin faturat e energjisë.
Ndërsa i infektuari i dytë në Përmet është vatër e vjetër, banor i fshatit Kosinë.
Edhe në Qarkun Korçës COVID-19 përhapet për herë të parë në një fshat të thellë.
Në këtë mënyrë është regjistruar një vatër e re në qarkun e Korçës pozitiv me COVID-19, rezulton një 62 vjeçare.
Burime zyrtare thonë se bëhet fjalë për një të moshuar nga fshati Strelcë i Maliqit.
Gjendja shëndetësore e zonjës është rënduar, ndaj dhe është shtruar në sanatorium.
Ndërsa rasti i dytë i këtyre 24 orëve në Korçës është person kontakti i të infektuarve të mëparshëm.
Një vatër e re është shënuar edhe në Fier. Një 28 vjeçar nga Levani pasi testi doli pozitiv dhe nuk dihet ku është infektuar. Ai është vetëkarantinuar në banesë./abcnews.al