Pas emocioneve të forta të supersfidës Elbasani–Tirana, drejtori sportiv i Elbasanit, Elton Guranjaku, bëri një analizë të drejtpërdrejtë të ndeshjes, duke vlerësuar karakterin dhe shpirtin luftarak të skuadrës së tij. Në një rrëfim të sinqertë në studion e ABC e Mëngjesit, ai theksoi se pavarësisht episodeve që mund të ishin menaxhuar më mirë, skuadra tregoi personalitet dhe nuk hoqi dorë deri në sekondën e fundit.
“Skuadra bëri një ndeshje me karakter dhe dha maksimumin në fushë. Kishim raste, momente shumë të mira dhe një grup që luftoi deri në fund,” u shpreh Guranjaku, duke nënvizuar se në futboll ritmi i lojës mund të ndryshojë nga episode të vogla, por rëndësi ka reagimi i ekipit.
Ai pranoi se ndoshta mungoi pak më shumë konkretizim në finalizim, por shtoi se këto janë elementë që përmirësohen me punë dhe qetësi. Për drejtuesin sportiv, ndeshje të tilla i shërbejnë ekipit për pjekuri dhe rritje.
Por mes analizës sportive, një mesazh i fortë shkoi edhe për tifozët. Guranjaku nuk i kurseu fjalët për mbështetjen e jashtëzakonshme të publikut elbasanas, duke e cilësuar atmosferën në stadium si një forcë shtesë për lojtarët. “Elbasani pa tifozët nuk kuptohet. Ata janë energjia më e madhe e këtij klubi,” tha ai.
Më shumë sesa një skuadër, Guranjaku e sheh Elbasanin si një familje. Sipas tij, projekti i klubit nuk është ndërtuar për një sezon apo një objektiv afatshkurtër, por për të rikthyer identitetin dhe lavdinë e një emri historik të futbollit shqiptar.
“Kemi punuar për akademinë, për rikthimin e lojtarëve elbasanas, për infrastrukturën dhe një klub stabël. Sot po shohim frytet e një pune të gjatë dhe me sakrifica,” u shpreh ai.
Ambicia është e qartë dhe pa ekuivoke: “Final 4”. Guranjaku e tha hapur se Elbasani nuk futet në fushë pa objektiva dhe skuadra do të luftojë deri në fund për të qenë mes më të mirëve. Në një rrëfim më personal, ai ndau edhe sfidën e balancimit mes familjes dhe futbollit, duke pranuar se ky profesion kërkon shumë kohë dhe sakrifica. Megjithatë, sipas tij, mbështetja e familjes mbetet shtylla kryesore që e ndihmon të përballojë presionin dhe ritmin e futbollit modern./abcnews.al


