Elbasan, prefekti mbledh task forcën kundër kultivimit të kanabisit

schedule13:04 - 20 Mars, 2018

schedule 13:04 - 20 Mars, 2018

Në Elbasan u mblodh Task Force kundër kultivimit të drogës. Dhe pse konsiderohet nga territoret më pak të prekura nga ky fenomen, prefekti kërkoi angazhimin për të mos u mbjellë asnjë rrënjë kanabis.

Prefekti i Elbasanit ka kërkuar që në qarkun e Elbasanit të mos mbillet asnjë rrënjë kanabis Sativa. Për këtë arsye u mblodh Task Force, ku mori pjesë dhe Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato. Prefekti Malaj foli për angazhim maksimal të strukturave vendore dhe policisë kundër fenomenit.

Maksim Malaj: “Kërkohet përkushtim i të gjitha strukturave të cilat janë të përfshira në këtë Task Force. Kërkohet një shkëmbim informacioni dhe evidentim i problematikave të dala. Kërkohet hartimi i një programi senzibilizimi dhe nërgjegjësimi si dhe ushtrimi i vazhdueshëm i kontrolleve”.

Por për Drejtorin e Policisë, Altin Qato, qarku i Elbasanit ka patur sipërfaqe të papërfillshme të mbjella me kanabis. Ai e cilësoi si një nga territoret më pak të prekur nga kultivuesit e bimëve narkotike.

Altin Qato: “Është qarku me treguesin më pozitiv në parandalim. Është më pak se një përqind e e totalit të bimëve të asgjesuara në shkallë vendi”.

Shifrat tregojnë se vërtet Elbasani mbetet vërtet qarku më i pastër sa i përket mbjelljes së kanabisit, por dyshohet se përgjatë korridorit Lindje–Perëndim tranzitohen droga të forta që përfundojnë në Europë dhe vende të ndryshme të botës./abcnews.al