Shkencëtarët dhe ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetit planifikojnë që të udhëtojnë drejt Kinës këtë fundjavë për të hetuar origjinën e koronavirusit të ri. Lajmin e ka konfirmuar të martën Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Gjatë muajve të fundit, ka pasur shumë diskutime rreth origjinës së Covid-19. Të gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe ekspertët e OBSH do të udhëtojnë në Kinë këtë fundjavë për të përgatitur plane shkencore me homologët e tyre kinezë për identifikimin e burimit të sëmundjes zoonotike, “tha Tedros gjatë konferencës ditore nga Gjeneva.
Sipas kreut të OBSH, qëllimi kryesor i këtij udhëtimi do të jetë studimi i mënyrës sesi sëmundja kaloi nga kafshët tek njerëzit.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, Mike Ryan u shpreh se ekspertët do të të kërkojnë të gjurmojnë narrativën sesi koronavirusi mund të jetë përhapur nga bota e egër, tek një kafshë ferme dhe më pas tek njerëzit. /abcnews.al/

