EKSKLUZIVE / Gazetarja investigative dëshmon për dhunën seksuale të serbëve ndaj burrave në Kosovë

schedule21:25 - 25 Dhjetor, 2019

schedule 21:25 - 25 Dhjetor, 2019

Në Kosovë ka patur një sërë gazetarësh investigativë që janë marrë me çështjen e krimeve të luftës dhe në veçanti të përdorimit të dhunimit seksual si mjet lufte.

Serbeze Haxhiaj është ndoshta një prej më të njohurave që është marrë me një temë kaq të ndjeshme. Ajo ka biseduar me shumë njerëz e ka marrë shumë dëshmi.

Ajo ka bërë disa raporte hulumtuese, në lidhje me përdorimin e dhunimit seksual, si mjet lufte, por edhe për çfarë ka ndodhur me fëmijët e lindur, ose të abortuar, që kanë qenë si pasojë e dhunimit seksual nga forcat serbe.

Gazetarja Linda Karadaku në emisionin Ballkan, raporton për ABC News se ka biseduar me gazetaren Haxhiaj jo vetëm për rastet e vajzave që janë dhunuar seksualisht, por edhe të burrave.

Intervista e plotë:

Linda Karadaku: Si gazetare investigative, je marrë kryesisht me çështjet e dhunimeve seksuale gjatë luftës  dhe fëmijët e lindur si pasojë e dhunës seksuale. Nga informacionet që keni marrë, sa është përafërsisht numri i grave dhe vajzave të dhunuara dhe sa është përafërsisht numri i këtyre fëmijëve të lindur nga ky makabritet?

Serbeze Haxhiaj: Organizatat të ndryshme, menjëherë pas luftës kanë raportuar një numër rreth 100 fëmijë, por nuk ka qenë e mundur të gjenden fakte konkrete për këtë shifër që ka qarkulluar. Dmth ajo çfarë ka ndodhur me këta fëmijë nuk mund të thuhet e saktë sepse disa prej grave kanë abortuar në Shqipëri, në Maqedoni dhe këtu në Kosovë. Disa prej viktimave kanë qenë të detyruara të lindin pas konstatimit të vonë të shtatzënisë. Në të shumtën e rasteve të këtyre fëmijëve që kanë lindur, ata janë braktisur, janë dhënë për adoptim, ka patur raste që menjëherë pas lindjes i kanë mbytur fëmijët. Një prej rasteve që unë kam investiguar, ka qenë pikërisht një nënë e cila e ka mbytur fëmijën e saj menjëherë pas lindjes sepse nuk ka arritur të fshihte dhe të pranonte një fëmijë të ardhur nga dhunimi.

Linda Karadaku: Po thoni se këta fëmijë të lindur nga dhunimet nuk e dinë se si kanë lindur apo cilët janë prindërit e tyre të vërtetë?

Serbeze Haxhiaj: Jo, sepse në atë kohë ishte vendosur misioni i OKB në Kosovë dhe gjatë hulumtimit kam parë se zyrtarët e OKB kanë qenë shumë të kujdesshëm gjatë procedurës së adoptimit. Pra prindërit adoptues i kanë adoptuar këta fëmijë si gjithë fëmijët e tjerë pa historinë e vërtetë. Ka dhe një kategori shumë të vogël të grave që kanë vendosur ti mbajnë këta fëmijë duke i fshehur nën ombrellën familjare pa treguar të vërtetën.

Linda Karadaku: Nga hulumtimi që ke bërë si janë dukur gjendja psikologjike e këtyre grave? Mendon që janë rikuperuar pas kaq kohësh?

Serbeze Haxhiaj: Në fakt po flas vetëm për pjesën e grave që kanë lindur fëmijë prej dhunës, janë vërtetë të shkatërruara, disa prej tyre kanë krijuar familje por në përgjithësi gjendja e tyre emocionale e shëndetësore është e rrënuar. Shumica e të dhunuarave në Kosovë, shteti i ka ndihmuar por ka qenë i vështirë gati i pamundur trajtimi shëndetësor i këtyre viktimave, shto këtu stigmën dhe mentalitetin në atë kohë, shumë prej këtyre viktimave kanë patur pasoja shumë të rënda, një pjesë e tyre kanë kryer vetëvrasje.

Linda Karadaku: Sa gra të dhunuara kanë kryer vetëvrasje?

Serbeze Haxhiaj: Një numër të saktë nuk e kemi por mund të them me dhjetëra. Kanë ndërmarrë aktin ekstrem sepse kanë qenë të vetme dhe janë përballur me izolimin nga shoqëria me pamundësinë për tu qasur në sistemin shëndetësor, një pjesë  tyre janë munduar të dalin nga trauma, por disa të tjera nuk kanë mundur dot. Edhe tani pas 20 vjetësh, shoqëria Kosovare e ka shumë të vështirë për ti nxjerrë këto viktima prej vendit ku ato janë. Zakonisht flitet për viktima, bëhen debate por shoqëria nuk ka qenë e afërt me to.

Linda Karadaku: Shoqëria nuk ka qenë gati ti trajtojë si viktima?

Serbeze Haxhiaj: Jo, ka patur gjëra të çuditshme deri absurde, sidomos pas luftës që është tentuar të mohohet dhe të fshihet numri i fëmijëve të lindur prej dhunës seksuale, sepse ka patur arsyetime absurde, gjoja se po ndryshohet struktura e popullsisë. Unë them që Kosova ka dështuar si shtet për të hulumtuar dhe dokumentuar krimet e luftës. Në fakt kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, nuk janë dokumentuar të gjitha rastet. 20 vjet pas luftës, në hulumtimet në spitalet e Kukësit, Kavajës e Tiranës dhe në vende të tjera, kam parë që numri i lindjeve dhe aborteve të kryera të regjistruara është shumë më i vogël se ai që ka qenë në realitet.

Linda Karadaku: Mendon se ka ndonjë shpresë që Serbia të bëjë një katarsis dhe të pranojë së pari masakrat dhe krimet e kryera të të gjitha llojeve, përfshi këtu edhe dhunimin seksual të grave dhe vajzave dhe të ketë një lloj pendese e një kërkim faljeje?

Serbeze Haxhiaj: Në fakt duket se Serbia nuk është ende gati të ballafaqohet me krimet e saj dhe këtë lloj politike e ka ndihmuar shumë politika në Kosovë e Shqipëri, qëndrimi politik i liderëve në Kosovë, lehtësia e padurueshme për të bërë dialog për çështje më banale dhe jo për çështje esenciale që lidhen me krimet monstruoze të kryera nga Serbia në Kosovë. Gjithashtu dhe liderët në Shqipëri që me lehtësi ju qasen inisiativave që lidhen me Serbinë duke përjashtuar Kosovën. Dhunimet janë 1 prej krimeve më monstruoze që nuk janë ndëshkuar aspak, përveç në tribunalin e Hagës që ka qenë pjesë e aktakuzës zinxhiri komandues i Serbisë, në Kosovë në asnjë rast të vetëm nuk ka arritur të dënohet dikush për krimet e dhunimit, as në Serbi.

Linda Karadaku: Nuk ka asnjë rast të dënimit të grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë?

Serbeze Haxhiaj: Jo nuk ka. Nuk ka patur asnjë rast të vetëm që dikush të jetë dënuar me vendim të plotë nga Gjykata për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Linda Karadaku: Ka patur padi penale?

Serbeze Haxhiaj: Ka patur por në ato raste, gjykata dhe prokuroria kanë qenë të paafta për ti shkuar deri në fund këtyre çështjeve sepse shumica e të akuzuarve janë pjesë e policisë dhe ushtrisë Serbe. Ajo që po na shfaqet çdo ditë është se po u bën strehë kriminelëve të luftës duke i glorifikuar në forma të ndryshme, duke mos i përjashtuar nga shoqëria. Serbia si shtet nuk është në gjendje të përballet me krimet që ka kryer në Kosovë.

Linda Karadaku: Nuk është se përmendet shpesh në opinion por dua t’ju pyes për dhunimin seksual të burrave, a keni biseduar me dikë prej tyre?

Serbeze Haxhiaj: Gjatë punës time, duke u marrë më këtë çështjet e luftës, kam intervistuar disa viktima meshkuj dhe ajo që kam parë tek këto viktima është që vuajtja dhe trauma ka qenë më e thellë. Për ata ka qenë më e vështirë dhunimi i tyre se sa vrasja e gjithë anëtarëve të familjes. Kam parë edhe disa raste të burrave që kanë tentuar vetëvrasjen. Në disa raste kam parë shembuj më pozitivë që kanë arritur të dalin nga gjendja traumatike dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Është çështje e mendësisë, është çështje e botëkuptimit të tyre, e përjetojnë ndryshe./abcnews.al